Dodik kërkon zëvendësimin e dëmit me gjobë, lideri i serbëve të Bosnjës iu drejtua zyrtarisht gjykatës
Ndonëse lideri i serbëve të Bosnjë-Hercegovinës ka përsëritur se nuk e pranon dënimin nga Gjykata e vendit me një vit burg, Milorad Dodik i ka kërkuar zyrtarisht institucionit të drejtësisë që t’ia zëvendësojë atë masë me gjobë, duke treguar kështu se ai realisht e ka pranuar vendimin e saj.
Në shkurt të këtij viti, përveç dënimit me një vit burg, Dodikut iu ndalua për 6 vjet të ushtrojë funksione zyrtare. Sistemi ligjor i Bosnjë-Hercegovinës lejon që dënimi me një vit burgim të mund të zëvendësohet me gjobë dhe sipas Kodit Penal të vendit, një ditë burg kushton 50 euro, ndaj Dodikut do t’i duhet të paguajë rreth 18 mijë euro në rast se gjykata pranon kërkesën e tij.
Lideri i serbëve të Bosnjës u dënua në muajin shkurt për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar, Christian Schmid, ndërsa këtë muaj, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.
Pasi dënimi i tij u vërtetua, të mërkurën Komisioni Qendror Zgjedhor i hoqi atij mandatin e presidentit të entitetit serb, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme për president të Republikës Sërpska.
Dodik, i cili ka mbështetjen e Beogradit dhe Moskës, iu përgjigj Komisionit Qendror duke thënë se do të mbajë referendum në Republikën Sërpska për mandatin e tij, edhe pse Kushtetuta e Bosnjë-Hercegovinës nuk e parashikon mundësinë e mbajtjes së referendumeve në entitete.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




