Drejtimi i Bashkisë së Tiranës – Veliaj sqaron delegimin për Sara Goxhajn, rikthen Anuela Ristanin

Politikë | 2 vite më parë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka sqaruar nga paraburgimi i Durrësit situatën në Bashkinë e Tiranës se kush do e drejtojë në mungesë te tij.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai shpjegon arsyen e ridelegimit të Anuela Ristanit për vazhdimin e kompetencave te kryetarit, ndërkohë aludimeve mediatike për mos dakordësitë mes tij dhe Ramës,  veliaj u dha këtë përgjigje.

“U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh. E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje. E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm. E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi”, shkruan në reagim.

Më 18 mars, Veliaj kishte firmosur delegimin e detyrës së kryebashkiakut për një tjetër nga nënkryetarët e bashkisë, Sara Goxhajn, duke krijuar një zhurmë mediatike, të cilën Veliaj e hodhi poshtë përmes qëndrimit të tij në rrjetet sociale.

Gazetare: Jonela Sagajeve

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme