FIFA, të tjera telashe për Infantino-n! Kongo në Botëror me një portier “të paligjshëm”

Futboll Bota | 1 orë më parë

Ny Times zbulon se është injoruar rekursi i Nigerisë për Mpasi. Presidenti i FIFA-s ka mbrojtur kandidatin e federatës kongoleze, i dobishëm për rizgjedhjen e tij në krye të qeverisë së futbollit botëror.

Një tjetër lajm i pakëndshëm që rëndon mbi Botërorin e fundit dhe FIFA-n. Të paktën sipas asaj që bën me dije New York Times, duke sjellë në vëmendje një tjetër qëndrim kontrovers nga ana e presidentit Gianni Infantino. Gazeta shkruan se përfaqësuesit ligjorë të FIFA-s kanë ndjekur një rrugë të rezervuar, pasi Republika Demokratike e Kongos po aktivizonte një lojtar kundër rregullores.

Lajmi vërtetohet nga disa dokumente të brendshme dhe sipas asaj që ka thënë një drejtues i lartë i përfshirë direkt në këtë çështje. Ai ka folur, pasi ka marrë garancinë e anonimatit. Një shkelje e tillë sjell normalisht humbjen në tavolinë të çdo ndeshjeje, ku lojtari që nuk lejohej është aktivizuar.

Kongos i duhej një fitore e fundit në ndeshjen shtesë kundër Xhamajkës për t’u kualifikuar në Botëror për herë të parë. “FIFA – shkruan New York Times – ka lejuar në heshtje lojtarin dhe kombëtaren e Kongos që të vazhdojë të marrë pjesë”.

Kongo mundi Xhamajkën dhe siguroi një vend në Kupën e Botës 2026, ku për FIFA-n dhe Infantino-n pati akuza të forta për fair play-n dhe ndërhyrjet politike. Rasti më i bujshëm ishte heqja e skualifikimit të lojtarit të SHBA-ve, Balogun, pas një telefonate Infantino-Trump. Më pas doli se Infantino do të shiste Kupën e Botës te privatët dhe konkretisht te dhëndri i Trump, Jared Kushner. Por projekti ra poshtë.

Rishikimi i pozicionit të Kongos nga FIFA erdhi pas një rekursi të Nigerisë në lidhje me paligjshmërinë e një lojtari. Kongo kishte mundur Nigerinë para se të shkonte në play-off-in kundër Xhamajkës. Gjatë hetimit të këtij rekursi FIFA zbuloi se Kongo nuk e kishte plotësuar dokumentacionin e nevojshëm që lejonte portierin Lionel Mpasi të ndryshonte kombëtare, pasi më parë kishte luajtur me moshat e Francës.

FIFA nuk ka përgënjeshtruar asnjë nga konkluzionet e New York Times, por vetëm ka deklaruar se e kishte hedhur poshtë rekursin e Nigerisë për një çështje proceduriale. Në një e-mail të dërguar të përditshmes, organi që qeveris futbollin botëror shkruan se komisionet e saj janë “autonomë dhe vendosin mbi bazën e rregulloreve dhe fakteve specifike, sipas vlerësimit të tyre”.

Po ashtu, FIFA ka shpjeguar se Infantino nuk ka pasur asnjë rol në vendime të tilla. Në rastin e Kongos, funksionarët e FIFA-s kishin diskutuar opsione të ndryshme, mes të cilëve dhënien e fitores Nigerisë, vendosjen e gjobës, zëvendësimin e Kongos me Nigerinë në play-off-in ndaj Xhamajkës, apo dhe mosmarrjen e asnjë mase, duke pretenduar se Nigeria e kishte bërë rekursin me vonesë. Të gjitha këto, sipas dokumenteve.

Korrespondenca që lidhet me hetimin, edhe kjo e analizuar nga Neë York Times, përmbante detaje në lidhje me masat e marra nga FIFA në raste të ngjashme të mëparshme. Një funksionar ligjor i FIFA-s që nuk është i përfshirë në këtë çështje, ka konfirmuar autenticitetin e dokumenteve të disponuara nga New York Times.

Në 2016-ën, kur Greqia aktivizoi një lojtar që nuk lejohej, pasi kishte luajtur me moshat e Australisë, FIFA veproi me vendosmëri, duke dekretuar humbjen e grekëve 3-0 ndaj Turqisë. Dy vite më pas, FIFA modifikoi rezultatet e dy ndeshjeve të Bolivisë në kualifikueset e Botërorit 2018, pasi vërtetoi se kjo skuadër kishte aktivizuar një lojtar që më parë kishte përfaqësuar Paraguajin.

Humbja me Kongon pati pasoja të rënda për futbollin nigerian. Dha dorëheqjen një pjesë e këshillit drejtues të federatës.

FIFA ka 211 federata anëtare dhe secila ka një votë, kështu që elektorati afrikan është thelbësor.

Kur po verifikohej çështja e Kongos nga FIFA, Véron Mosengo-Omba, aleat i Infantino-s, po përgatitej të kandidonte për presidencën e federatës kongoleze. Dy muaj më pas, Mosengo-Omba ishte kandidat i vetëm dhe u zgjodh president. Tetë rivalë të tij u tërhoqën ose u përjashtuan nga kandidimi.

Princi Zelkifli Rahman Ngoufonja, ish-drejtues kamerunas i FIFA-s, i njohur si Princi Zul, deklaroi se raporti Infantino-Mosengo-Omba ngre pikëpyetje. “Nëse FIFA do të përjashtonte Kongon nga Botërori, – ka thënë Princi Zul, – aleanca e Infantino-s do të dëmtohej”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme