Himarë/ Zjarr i fuqishëm në Vranisht, flakët përfshijnë dy banesa, ndërhyhet nga ajri
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë që prej mesditës së sotme fshatin Vranisht, në bashkinë Himarë, duke krijuar një situatë të vështirë për banorët dhe strukturat e emergjencave. Flakët janë shfaqur rreth orës 12:00 dhe, të favorizuara nga erërat e forta dhe temperaturat e larta, janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme.
Zjarri ka përfshirë disa hektarë me pisha dhe sipërfaqe pyjore, ndërsa flakët kanë përparuar edhe në zona me shkurre, barishte dhe pemëtari. Terreni i vështirë dhe era e fortë po e bëjnë të komplikuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin e vatrave dhe frenimin e përhapjes së zjarrit.
Flakët kanë prekur edhe dy banesa në Vranisht. Një prej tyre është e pabanuar dhe është përfshirë nga zjarri, ndërsa në banesën tjetër flakët kanë prekur oborrin. Për momentin, forcat në terren po punojnë për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt banesave të tjera dhe zonave të banuara.
Për shkak të intensitetit të zjarrit dhe pamundësisë për të ndërhyrë në disa prej vatrave nga toka, në operacion është kërkuar edhe mbështetja nga ajri.
Në Vranisht ka mbërritur një helikopter i Forcave të Armatosura, i cili ka nisur hedhjen e ujit mbi vatrat më aktive. Ndërkohë, për forcimin e operacionit është kërkuar mbërritja e një helikopteri të dytë, si dhe e një mjeti ajror “Air Tractor”, me qëllim përballimin e situatës dhe frenimin e përhapjes së flakëve.
Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Himarës, të cilat po përpiqen të mbajnë nën kontroll frontin e zjarrit dhe të parandalojnë përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




