Inaugurohet fusha e re në stadiumin “Luftëtari”

Futboll Vendi | 2 vite më parë

Fusha me bar natyral në stadiumi “Luftëtari” në Gjirokastër është inauguruar sot me sukses. Para nisjes së ndeshjes AF Luftëtari – Delvina, u mbajt ceremonia e përurimit të fushës me bar natyral, një investim i përbashkët i Federatës së Futbollit dhe Bashkisë Gjirokastër.

Në këtë ceremoni morën pjesë Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, dhe Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, tha se investimi në stadiumin e Gjirokastrës është një premtim i mbajtur nga Federata e Futbollit dhe Presidenti Armand Duka. Gjithashtu, ai shtoi se Federata e Futbollit në Gjirokastër do të ndërtojë edhe dy fusha të tjera stërvitore.

“Investimi në stadiumin e Gjirokastrës është një premtim i mbajtur nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe Presidenti Duka. Më në fund, skuadra e Luftëtarit do të luajë ndeshjet në një fushë të cilësisë së lartë, njësoj si stadiumet elitare. Ndërkaq, investimet në këtë stadium do të vijojnë me rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes dhe pajisjen me stola. Ky nuk është investimi i vetëm i FSHF-së në këtë qytet, pasi në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës kemi projekte për të ndërtuar dy fusha të tjera stërvitore,” tha Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj.

Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm me FSHF-në dhe shtoi se ky investim do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së futbollit në qytet.

Investimi në stadiumin “Luftëtari” të Gjirokastrës është në kuadër të projektit “100 fusha”, dhe tani punimet në stadium do të vijojnë për rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes dhe tribunave të stadiumit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme