Konferenca/ Hoxha me homologun izraelit: Siguria, shtyllë kyçe e partneritetit tonë. Turizmi, urë lidhëse mes dy vendeve

Politikë | 1 orë më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se Shqipëria dhe Izraeli kanë vullnetin politik për të forcuar më tej partneritetin dypalësh, duke e cilësuar sigurinë si një nga shtyllat kryesore të bashkëpunimit mes dy vendeve. Në konferencën e përbashkët për mediat me homologun e tij izraelit, Gideon Sa’ar, Hoxha bëri të ditur se dy vendet kanë nënshkruar Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm mes qeverisë shqiptare dhe asaj izraelite, e cila synon të krijojë një kuadër më të gjerë bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët.

“Vullnet politik për të forcuar partneritetin. Sapo firmosëm një marrëveshje për bashkëpunim të përgjithshëm mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Izraelit. Është publike si marrëveshje”, u shpreh ministri Hoxha.

Ai theksoi se siguria mbetet një element kyç në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke nënvizuar rëndësinë që të dyja vendet i kushtojnë luftës kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, antisemitizmit dhe kërcënimeve të reja ndaj sigurisë kombëtare.

“Siguria, shtyllë kyçe e partneritetit tonë. Shqipëri-Izrael i kushtojnë rëndësi të madhe luftës kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, luftës kundër antisemitizmit, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të reja ndaj sigurisë kombëtare”, deklaroi Hoxha.

Në vijim, ministri u ndal te bashkëpunimi në fushën e sigurisë kibernetike, duke e cilësuar atë si një drejtim me rëndësi të veçantë gjatë viteve të fundit. Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Izraelit ndaj Shqipërisë në forcimin e mbrojtjes kibernetike dhe rritjen e kapaciteteve për përballimin e sulmeve ndaj infrastrukturës digjitale.

“Në këtë drejtim, bashkëpunimi ynë për sigurinë kibernetike ka rëndësi të veçantë vitet e fundit. Mirënjohës Izraelit për mbështetjen e vyer ndaj Shqipërisë për të forcuar mbrojtjen kibernetike, kapacitetet lidhur me to, në vijim të sulmeve brutale kibernetike nga Irani dhe grupet e lidhura me të kundër infrastrukturës kryesore digjitale të Shqipërisë në vitin 2022”, u shpreh ministri i Jashtëm.

Marrëveshja e nënshkruar mes dy qeverive synon të forcojë më tej bashkëpunimin Shqipëri-Izrael, ndërsa siguria, mbrojtja kibernetike dhe përballimi i kërcënimeve të përbashkëta mbeten ndër çështjet kryesore të agjendës dypalëshe.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme