Rriten çmimet e apartamente në Lezhë, kërkesat për prona në rritje, metri katror në zonën e Ranës se Hedhun deri në 2700 euro

Sociale | 1 orë më parë

Lezha vijon të tërheqë interesin e blerësve dhe investitorëve në tregun e pasurive të paluajtshme. Në dy vitet e fundit, çmimet e apartamenteve janë rritur mesatarisht me rreth 10%, ndërsa në zonat bregdetare rritja ka qenë edhe më e ndjeshme.

Shëngjini kryeson këtë tendencë, me një rritje që në disa zona si Rana e Hedhun arrin deri në 20%. Por kërkesa nuk është përqendruar vetëm te Shëngjini. Edhe Lezha, apo bregdeti i Kunes dhe Tales po shohin interes në rritje, si për banim, ashtu edhe për investime.

“Tani kemi çmimet referuese, pra çmimet mesatare për zonën e Ranës së Hedhun, e cila vazhdon të jetë më e kërkuara. Çmimet vazhdojnë nga 1.700 euro për metër katror. Më pas, në qendër të Shëngjinit, çmimet variojnë nga 1.400 deri në 1.500 euro për metër katror. Në pjesën e portit, kemi oferta që nisin nga 1.000 euro për metër katror. Sa i përket qytetit të Lezhës, duke qenë se kërkesa për Shëngjinin është goxha e lartë, çmimet janë rritur nga 800 euro, që ishte niveli i mëparshëm, dhe sot variojnë nga 900 deri në 1.000 euro për metër katror”, u shpreh Indrit Cuni, Agjent imobiliar.

Kjo lëvizje lidhet me disa faktorë. Përmirësimi i cilësisë së ndërtimeve dhe investimet dhe në infrastrukturë duke rritur vlerën e pronave, ndërsa turizmi ka sjellë një tjetër kategori blerësish, veçanërisht të huaj. Apartamenti në bregdet nuk konsiderohet më vetëm si një banesë për muajt e verës, por edhe si një mundësi për të gjeneruar të ardhura përmes qiradhënies.

“Kërkesa ka qenë e vazhdueshme për ndërtimin e hapësirave të reja akomoduese dhe të projekteve moderne, që po ndërtohen përgjatë gjithë bregdetit të Shëngjinit, nga Rana e Hedhun në Kunë, si dhe në Tale. Këto projekte elitare tërheqin blerës jo vetëm vendas, por edhe nga diaspora dhe të huaj. Po ashtu, vlen të theksohet se përmirësimi i infrastrukturës, veçanërisht ndërtimi i bypass-it pranë Ranës së Hedhun, ka ndikuar realisht në treg”, tha ai.

Çmimet e apartamenteve në Lezhë variojnë nga 900 deri në 1000 euro për metër katror, ndërsa në zonat bregdetare janë më të larta. Në Kune arrijnë deri në 1600 euro, në qendër të Shëngjinit deri në 1800 euro, ndërsa te Rana e Hedhun deri në 2700 euro për metër katror. Edhe në Talë, çmimet variojnë nga 1200–1700 euro metri katror.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme