Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj pret delegacionin holandez

Kryegjyshi Botëror, shenjtëria e tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, priti në selinë e shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane delegacionin e Shtetit të Holandës, të kryesuar nga znj. Bea-Sen Tussher, e dërguar speciale e Ministrisë së Jashtme të Vendeve të Ulëta për fetë dhe liritë fetare.
Kryegjyshi Botëror Bektashian e njohu delegacionin me rolin historik që ka luajtur bektashizmi në çështjen kombëtare. Ai theksoi se vizioni që përçon bektashizmi sot është një mesazh i madh për harmoni, tolerancë dhe bashkëjetesë fetare, si thesari i unitetit, sigurisë dhe paqes.
Kryegjyshi Botëror Baba Mondi shtoi se nisma e kryeministrit Edi Rama për krijimin e shtetit sovran bektashi është një vlerësim për rolin që ka luajtur Kryegjyshata Botërore si qendër e bektashinjve të botës në mbi 33 vende dhe për vizionin e bektashizmit për paqe dhe vëllazëri botërore, me të gjitha fetë dhe të gjithë popujt, për të ecur së bashku dhe për të jetuar si vëllezër.
Znj. Bea-Sen Tussher, pasi falënderoi Kryegjyshin për mikpritjen, theksoi se roli i bektashizmit është shumë i rëndësishëm për promovimin e vlerave të islamit të sotëm, të inkorporuar në shoqërinë e sotme europiane. Ajo vlerësoi gjithashtu se shteti Sovran Bektashi do të përçojë vlera të reja, të domosdoshme për shoqërinë e sotme njerëzore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




