Kurti ftesë PDK-së dhe LDK-së: Propozoni tri figura unifikuese për President, ne tërheqim kandidatët tanë

Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i ka bërë një thirrje publike dy partive kryesore opozitare, PDK-së dhe LDK-së, për të gjetur një zgjidhje mbi çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Gjatë një prononcimi për mediat pas ceremonisë për rrugën Korishë-Kabash, Kurti kërkoi nga opozita propozimin e tri personaliteteve jashtë skenës aktuale politike, duke garantuar mbështetjen e subjektit të tij.
Sipas kreut të qeverisë, PDK dhe LDK, si partitë më të vjetra në vend, kanë kapacitetin dhe njohuritë e duhura për të identifikuar figura seniore dhe kontribuuese në shoqërinë kosovare.
Propozimi për zhbllokimin institucional
Kryeministri Kurti propozoi një formulë bashkëpunimi ku VV, PDK dhe LDK të sigurojnë nënshkrimet e nevojshme për tre kandidatë të propozuar ekskluzivisht nga opozita.
“Ne po themi në mesin e këtyre tre kandidatëve asnjëri të mos jetë propozim i Vetëvendosjes. Le të jenë tri personalitete unifikuese të dy partive më të vjetra se ne. Në këtë mënyrë ta zhbllokojmë situatën dhe të kemi stabilitet institucional”, deklaroi Kurti.
Si kusht për këtë marrëveshje, Kurti konfirmoi se dy kandidatët aktualë të LVV-së, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha Kollçaku, do të tërhiqeshin nga gara menjëherë pas zyrtarizimit të propozimeve opozitare.
Kostoja e zgjedhjeve të reja
Lideri i LVV-së argumentoi se vendi nuk ka nevojë për një tjetër proces zgjedhor, i cili përveç vonesave, do të rëndonte edhe buxhetin e shtetit.
“Edhe një palë zgjedhje të reja na humbin së paku 10 milionë euro për organizimin e tyre dhe dhjetëra miliona të tjerë që do të ishin financim nga bashkësia ndërkombëtare”, shtoi ai, duke bërë thirrje për maturi politike në shërbim të stabilitetit.
Për Kryeministrin, zgjidhja duhet kërkuar te njerëzit e dëshmuar në akademi, universitet dhe ata që kanë sakrifikuar për vendin, duke i parë këto figura si mundësi për të përfaqësuar unitetin e popullit pa u përfshirë në rivalitetet partiake.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




