Llogaritja e pensioneve, qeveria miraton koeficientin e ri 6.4% për rivlerësimin e pagave

Sociale | 6 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësuar për vitin 2024, një lëvizje teknike por me ndikim të drejtpërdrejtë në masën e pensioneve që do të caktohen në të ardhmen. Sipas vendimit të fundit, pagat mbi të cilat janë derdhur kontributet deri në vitin 2024 do të indeksohen me 6.4%.

Ky proces, i njohur si rivlerësimi i bazës së vlerësuar, bëhet për të siguruar që një pagë e marrë vite më parë të ketë të njëjtën vlerë relative me pagat aktuale në momentin që llogaritet masa fillestare e pensionit.

Kush përfiton nga ky vendim?

Është e rëndësishme të theksohet se ky indeksim nuk është një rritje direkte për ata që janë aktualisht në pension, por aplikohet për personat që do të dalin në pension me datë lindjeje të së drejtës nga 1 janari i vitit 2026 e në vazhdim.

Llogaritjen e bazës individuale vjetore, duke iu referuar kontributeve të paguara që nga viti 1994.

Kufijtë e bazës së vlerësuar

Vendimi përcakton edhe tavanet mbi të cilat do të llogaritet pensioni, pas aplikimit të indeksit të ri. Për periudhën 1994 – 2001 baza e llogaritjes nuk mund të jetë më e lartë se trefishi i pagës minimale në shkallë vendi.

Për periudhën nga viti 2002 e në vazhdim baza nuk mund të jetë më e lartë se paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar me ligj.

Efektet financiare

Të gjitha efektet financiare që rrjedhin nga ky indeksim do të mbulohen nga buxheti i miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Sipas vendimit, ky institucion është ngarkuar tashmë për zbatimin e skemës së re të rivlerësimit, duke përditësuar indekset akumulative sipas viteve dhe profesioneve.

Ky hap konsiderohet si një masë për të mbrojtur fuqinë blerëse të pensionistëve të ardhshëm, duke u siguruar që periudha e tyre e punësimit në vitet ’90 apo fillimin e viteve 2000 të mos “zhvlerësohet” në momentin e llogaritjes finale të përfitimit mujor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme