Lufta- UNICEF: Të paktën dy fëmijë vriten çdo ditë në Ukrainë

Europë | 2 vite më parë

Të paktën dy fëmijë vriten ose plagosen çdo ditë në Ukrainë, tha UNICEF duke theksuar ndikimin e luftës me Rusinë tek fëmijët.

“OKB-ja ka verifikuar se të paktën 2.406 fëmijë janë vrarë ose plagosur që nga shkurti 2022, mesatarisht dy fëmijë çdo ditë. OKB-ja verifikoi më shumë viktima fëmijë gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2024 sesa gjatë gjithë vitit 2023. Kjo është kostoja e vërtetë e një lufte. Por kjo nuk përfundon atje”, tha kreu i agjencisë, Catherine Russell, në një seancë të Këshillit të Sigurimit për Ukrainën.

Gati 3.6 milionë ukrainas janë të zhvendosur brenda vendit dhe 6.7 milionë janë bërë refugjatë.

Ajo tha se fëmijët kalojnë deri në gjashtë orë çdo ditë duke u strehuar në bodrume dhe në hapësira të tjera të lagështa e të errëta nën sirenat e sulmit ajror, të frikësuara për jetën e tyre.

Duke vënë në dukje shkatërrimin e shkaktuar në infrastrukturën kritike, ajo raportoi se gjatë 1.000 ditëve të fundit, pothuajse 1.500 institucione arsimore dhe më shumë se 660 struktura shëndetësore janë dëmtuar ose shkatërruar.

Rasëlli përshkroi ndikimin psikologjik te fëmijët: “Fëmijët ndikohen nga kërcënimi dhe frika e vazhdueshme e sulmeve apo dhunës, humbja e të dashurve, ndarja e familjeve për shkak të zhvendosjes dhe ndërprerja e arsimit, duke përfshirë izolimin për shkak të mësimit afat-gjatë në internet. Pasojat e një traume të tillë mund të jenë shkatërruese dhe të kenë një ndikim afatgjatë në shëndetin mendor të fëmijëve.”

Ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen ndërkombëtare, ajo theksoi nevojën për angazhim të vazhdueshëm.

“Investimi në të ardhmen e fëmijëve është thelbësor. Përpjekjet humanitare, ndonëse jetike, nuk mund të jenë një zëvendësim për një zgjidhje politike për t’i dhënë fund luftës dhe vuajtjeve.”

Duke bërë thirrje për veprime urgjente, Russell tha: “Ne kërkojmë përsëri mbështetjen e anëtarëve të këtij Këshilli të Sigurimit dhe palëve në këtë konflikt për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të mbrojtur fëmijët e kapur në këtë makth. Fëmijët janë në varësi të këtij Këshilli për të dhënë zgjidhje. Ne nuk mund dhe nuk duhet t’i zhgënjejmë ata”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme