Mbyllja e TikTok në Shqipëri, BE thotë se është vendim sovran i vendit

Sociale | 2 vite më parë

Komisioni Europian ka deklaruar se plani i Shqipërisë për të bllokuar platformën sociale TikTok është një vendim sovran.

Cituar nga media “Politico” ka qenë një zëdhënës i KE-së, i cili ka thënë se ekzekutivi i Bashkimit Europian e kishte “marrë parasysh” planin e Shqipërisë për të bllokuar TikTok-un dhe se ky është “një vendim sovran”.

Ndërsa referon edhe deklarimin e një zëdhënësi të TikTok-ut për sa i përket vdekjes së një të mituri si pasojë e goditjes nga bashkëmoshatari i tij, se nuk kishte “asnjë provë që autori ose viktima të kishte llogari të TikTok dhe raportet e shumta në fakt kanë konfirmuar [që] videot që çuan në këto incidente po postoheshin në një platformë tjetër”, “Politico” ka aluduar që ndalimi i paralajmëruar i TikTok-ut e tërheq vëmendjen e Brukselit.

Por me gjithë situatën e vlerësimit të shumëfishtë të Shqipërisë nga Brukseli për standardet e BE-së në sundimin e ligjit dhe liritë themelore, ekzekutivi europian e ka interpretuar si vendim sovran të Shqipërisë, pa asnjë koment në drejtim të ndonjë shkeljeje të të drejtave.

E njëjta linjë demonstrohet edhe nga kryeministri shqiptar i cituar po nga “Politico” me përgjigjet e tij me shkrim.

Vendimi bazohet në një “model shumë shqetësues” në TikTok, shkruan kryeministri Rama, dhe prek shqetësimet në rritje sesi media sociale ndikon në shëndetin mendor dhe sigurinë e të rinjve.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme