“Nënë Tereza refuzoi portretin në monedhë”, Shpresa Lubonja zbulon sekretet e 100 viteve histori në metal

Ekonomi | 7 muaj më parë

Botimi “Monedhat përkujtimore shqiptare” nuk është thjesht një katalog numizmatik, por një dokumentacion me vlerë që vjen në kujtim të një përvjetori historik: 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë (1925-2025).

Në një intervistë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, autorja Shpresa Lubonja shpalos vlerat e botimit të saj më të fundit. Me një përvojë mbi 30-vjeçare si ekonomiste në Bankën e Shqipërisë, vjen sot në rolin e një “arkeologeje” të trashëgimisë sonë monetare.

​Për Lubonjën, monedha kapërcen funksionin e thjeshtë si mjet këmbimi. Ajo e konsideron atë si një dëshmi të gravuar që mbart art, histori dhe identitet kombëtar.

​Megjithëse fillimisht për një grup të ngushtë interesi, sot këto monedha po kërkohen masivisht si objekte dhurate me vlerë të lartë.

Një pikë kyçe e botimit është dokumentimi i monedhës së parë të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, prerja 20 Franga Ari. Kjo monedhë nuk ishte thjesht një objekt koleksioni, por kishte kurs ligjor dhe u emetua në kuadër të atij që njihet si Pakti i Miqësisë Itali-Shqipëri (Pakti i Tiranës). ​

“Vendosja e portretit të Skënderbeut në njërën anë dhe Luanit me fletë (të Venedikut) në anën tjetër të monedhës e bën atë të flasë shumë për rëndësinë e atij pakti,” shpjegon Lubonja.

​Kjo prerje dëshmon periudhën kur Banka sapo ishte krijuar me kapitale të përbashkëta shqiptaro-italiane, duke gërshetuar figurën e heroit tonë kombëtar me simbolet e fuqisë së kohës.

​Gjatë bisedës, u veçuan disa nga monedhat më ikonike që kanë përfaqësuar Shqipërinë në arena ndërkombëtare. 42-vjetori i Hekurudhës së Parë Shqiptare (1988), një monedhë argjendi që paraqet trenin duke dalë nga një tunel i depërtueshëm. Një detaj artistik i rrallë që i dha asaj vlerësim të lartë. ​Po kështu dhe Lojërat Olimpike të Barcelonës (1991-1992), një set inovativ që u vlerësua për anën artistike. “Është një set i veçantë sepse janë monedha që inkorporohen te njëra-tjetra, hapen si dy monedha dhe kur mbyllen, në njërën anë kanë stemën e Republikës dhe në anën tjetër një anije. Në brendësi janë dy kalorës”.

​Për koleksionistët, Lubonja zbuloi shifra marramendëse që arrijnë disa prerje të rralla, sidomos “provat” e viteve 1987-1988. ​Monedha e vitit 1987 mund të arrijë vlerën e 70,000 dollarëve. ​Provat me tirazh 5 copë kapin vlerën e 43,000 dollarëve, për shkak se janë të rralla dhe të peshës në ar.

​​Një hapësirë të veçantë në libër dhe në bisedë i dedikohet Shën Terezës. Përpjekjet për të gdhendur portretin e saj në monedhë nisën që në vitin 1996, por hasën në një pengesë modeste nga vetë ajo.

​“Në libër kam sjellë edhe një letër të Nënë Terezës me shkrimin e saj ku fillimisht ajo nuk donte që portreti i saj të ishte në një gjë materiale me vlerë.” ​Vetëm në vitin 2012, pasi u kaluan të gjitha pengesat ligjore dhe etike, u arrit të shtypej monedha e artë dedikuar saj.

​​Ky botim është një gur themeli për këdo që dëshiron të njohë Shqipërinë përmes “historisë së vogël me peshë të madhe” që mbartin monedhat tona përkujtimore.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme