Nesër protestë në Prishtinë pas vendimit të Hagës ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së

Kosovë | 58 minuta më parë

Organizata e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë thirrur një protestë gjithëpopullore në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Protesta do të zhvillohet të premten, më 18 shtator, në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu”.

Vendimi është cilësuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së si i padrejtë.

Gazmend Syla, përfaqësues i OVL-UÇK-së, njoftoi se do të propozohet krijimi i një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme ku të përfshihen institucionet e Kosovës, subjektet politike, shoqëria civile, përfaqësues nga Shqipëria, shqiptarët në rajon dhe diaspora.

“Kësaj padrejtësie që iu bë drejtuesve të luftës së UÇK-së do t’i përgjigjemi me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe të një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria, por edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë në viset e tjera, qoftë Mali i Zi, qoftë Lugina e Preshevës, por edhe nga mërgata jonë”, deklaroi ai.

Sipas tij, qëllimi është hartimi i një strategjie të përbashkët gjatë procesit të apelimit të vendimit.

“Do të kërkojmë krijimin e një strategjie kundërshtuese ndaj këtij vendimi deri në përfundim të procesit të apelit, ku kërkojmë përfshirjen e institucioneve tona, partive parlamentare, shoqërisë civile, institucioneve të tjera të cilat do të mund të kontribuonin në këtë drejtim”, tha Syla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme