Një tjetër dëshmitar amerikan në mbrojtje të Thaçit, ish-gjenerali i NATO-s Wesley Clark do dëshmojë në Hagë

Kosovë | 1 vit më parë

Një tjetër dëshmitar amerikan do të paraqitet në Dhomat e Specializuara në Hagë për të dëshmuar në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në Gjykatën Speciale, pjesë e dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit do të jetë edhe ish-gjenerali i NATO-s Wesley Clark, i cili gjatë luftës në Kosovë udhëhoqi fushatën 78-ditore të bombardimeve kundër forcave serbe në vitin 1999.

Mbrojtja e Thaçit shprehet se ka marrë edhe autorizimin zyrtar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që i lejon ish-gjeneralit Clark të japë dëshminë e tij.

“Në përputhje me urdhrin e Dhomës së Gjykimit të datës 2 shtator 2025, mbrojtja e z. Hashim Thaçi njofton se ka marrë autorizimin nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që lejon dhënien e deklaratës dhe dëshmisë së dëshmitarit të saj të fundit, gjeneral Wesley Clark,” thuhet në dokument.

Para Clarkut, në mbrojtje të Thaçit kanë dëshmuar edhe disa ish-zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë James Peter Covey, i cili gjatë viteve 1999–2001 ka shërbyer si zëvendësi kryesor i përfaqësuesit të posaçëm të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Bernard Kouchner, ka dëshmuar James Rubin, ish-ndihmës i Sekretarit amerikan të Shtetit dhe zëdhënës kryesor i Departamentit të Shtetit gjatë viteve 1997–2000 si dhe juristin amerikan Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave të vitit 1999.

Prej 5 vitesh ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë dhe ndaj tyre po zhvillohet procesi gjyqësor. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme