Pagesat me kartë tejkalojnë ato kesh, rritje me 42% në gjashtëmujorin e parë
Për herë të parë në Shqipëri, pagesat me kartë kanë kaluar në numër tërheqjet e parasë kesh në bankomat.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë gjashtëmujorit të parë të 2024 janë kryer rreth 12,57 milionë pagesa me kartë në terminale elektronike të shitjes (POS), me një rritje prej 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në total, 52 nga çdo 100 veprime me kartë ishin pagesa në terminale POS, ndërsa pjesa tjetër ishin tërheqje apo depozitime kesh. Vlera e pagesave me kartë arriti në 48,3 miliardë lekë, me një rritje 11% në krahasim me vitin e kaluar, duke përbërë 17,4% të totalit të transaksioneve me kartë.
Rritja e turizmit, veçanërisht gjatë verës, dhe zgjerimi i përdorimit nga rezidentët pas pandemisë janë ndër faktorët kryesorë të këtij zhvillimi. Numri i terminaleve POS në vend arriti në 27.969, me një rritje prej 28,4% krahasuar me vitin e kaluar.
Vlen të thuhet se MasterCard po e mbështet këtë zgjerim me programe lehtësuese për pajisje POS në biznese.
Shtimi i pagesave me kartë shihet si një sinjal pozitiv për uljen e përdorimit të parasë fizike dhe rritjen e përfshirjes financiare në një vend ku keshi ende është i pranishëm për shkak të informalitetit.
Numri i kartave aktive në qarkullim arriti në 1,57 milionë, me një rritje prej 6% në krahasim me një vit më parë.
Gazetar: Omer Saraçi
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




