Partitë  festojnë fitoren – LDK feston në Prishtinë, LVV në Mitrovicë dhe Fushë Kosovë 

Kosovë | 12 muaj më parë

Prishtina, një nga komunat ku u votua në raundin e dytë të zgjedhjeve, nuk ndryshoi kryetar duke konfirmuar kandidatin e LDK-së Përparim Rama. Ky i fundit fitoi garën përballë Hajrullah Çeku. Pas kësaj fitoreje kandidati i LVV pranoi humbjen dhe uroi Ramën, duke u shprehur se shpreson që Prishtina të dalë nga vështirësitë në të cilat, sipas tij, është përfshirë në vitet e fundit. Sakaq Lidhja Demokratike e Kosovës e quajti rezultatin në Prishtinë, fitore për të gjithë Kosovën.

“Dua t’i falënderoj në veçanti të 47 mijë votuesit e Prishtinës që ri konfirmuan edhe njëherë fitoren tonë. Fitorja e sotme nuk është vetëm fitore e LDK-së, është fitore e gjithë Kosovës, e shpresës e rilindjes së madhe kombëtare dhe me këtë fitore dua të them se nuk ka humbës fare. Përparim Rama është kryetari i secilit qytetarë të Prishtinës edhe atyre që na kanë votuar edhe atyre që nuk na kanë votuar. Jemi shumë pak për t’u ndarë e përçarë”, Lumir Abdixhiku, Kreu i LDK-së.

“Sot është fitore e të gjithë qytetarëve të kryeqytet, sot është fitore e të gjithë Kosovës. Prishtina tregoi që dëshiron zhvillim, Prishtina tregoi që nuk do bllokim. Shkojmë përpara drejt së djathtës së zhvillimit, i themi jo sabotimit”, tha Përparim Rama, Kandidati i LDK për Prishtinën.

Lëvizja Vetëvendosje festoi fitoren e kandidatëve të saj në Mitrovicën e Jugut, Fushë Kosovë dhe Obiliq. Kryetari Albin Kurti tha se kandidatët e tij për kryetarë komune kanë zhvilluar një betejë të jashtëzakonshme. 

Të suksesshme rezultatet e balotazhit i vlerësoi edhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, partia e të cilit fitoi në 4 komuna. Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve LDK-ja fitoi në pesë komuna, LVV-ja dhe AAK-ja në katër secila dhe PDK-ja në tre komuna.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme