PDK-ja dërgon në Kushtetuese edhe Qeverinë “Kurti IV”, një ditë pas kontestimit të konstituimit të Kuvendit

Kosovë | 2 muaj më parë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do t’i drejtohet sot Gjykatës Kushtetuese edhe lidhur me mënyrën e konstituimit të Qeverisë Kurti IV, një ditë pasi në këtë institucion kontestoi procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputeti Përparim Gruda do të mbajnë konferencë për media para objektit të Gjykatës Kushtetuese në orën 09:00.

PDK-ja pritet të kërkojë vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesit përmes të cilit u konstituua Qeveria Kurti IV, e cila u votua pasi përfundoi procesi i konstituimit të Kuvendit.

Ky veprim vjen një ditë pasi PDK-ja iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar mënyrën e konstituimit të legjislaturës së re.

Kuvendi u konsiderua i konstituuar edhe pse nuk ishin zgjedhur të pesë nënkryetarët e paraparë. Kandidatja e PDK-së për këtë pozitë, Vlora Çitaku, nuk mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

PDK-ja fillimisht e kishte tërhequr përkohësisht kandidaturën e Çitakut, ndërsa më pas kundërshtoi përfundimin e seancës konstituive pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët.

Të hënën, pas dorëzimit të lëndës në Gjykatën Kushtetuese, Arian Tahiri deklaroi se PDK-ja po kërkon nga ky institucion të vlerësojë kushtetutshmërinë e procesit të konstituimit të Kuvendit.

PDK-ja i ka kërkuar gjithashtu Gjykatës Kushtetuese caktimin e një mase të përkohshme, me arsyetimin se duhet të parandalohen pasoja të mëtejshme juridike dhe institucionale.

Kontestimi i sotëm i Qeverisë Kurti IV lidhet drejtpërdrejt me çështjen e konstituimit të Kuvendit, pasi ekzekutivi i ri u votua nga Kuvendi pas përfundimit të këtij procesi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme