Operacioni “Gjurmët”/ Zbulohen mbi 56 kg kanabis në pyjet e Komanit, arrestohen 4 persona
Katër persona janë arrestuar dhe një tjetër është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pas një operacioni të Policisë së Shkodrës për goditjen e veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit të koduar “Gjurmët”, të zhvilluar pas disa javësh hetimesh me metoda proaktive, policia zbuloi dhe sekuestroi mbi 56.7 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, të ndarë në 10 thasë, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Koman.
Në pranga përfunduan P. F., 45 vjeç, banues në Gomsiqe të Vaut të Dejës; M. P., 39 vjeç, banues në Dush të Vaut të Dejës; K. K., 33 vjeç, banues në Shkodër; dhe D. N., 67 vjeç, banues në Tiranë.
Ndërkohë, në gjendje të lirë u procedua A. F., 38 vjeç, banues në Gomsiqe, vëllai i 45-vjeçarit të arrestuar.
Sipas hetimeve, pesë shtetasit dyshohet se bashkëpunonin për transportimin e kanabisit me automjete dhe varka drejt një zone të pyllëzuar në Koman, ku më pas e përgatitnin lëndën narkotike për shitje.
Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e policisë kontrolluan një ambient të përshtatur për kamping, në pronësi të P. F., si dhe automjetet që përdoreshin nga K. K., dhe M. P. Në këto vende u gjetën 10 thasët me mbi 56.7 kilogramë kanabis, të cilët u sekuestruan si prova materiale.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në të. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




