Ministri Demo: Dhuna ndaj njerëzve, policëve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar sërish përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale lidhur me incidentet e regjistruara gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit, ku mbetën të plagosur gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit dhe u dëmtuan institucione shtetërore e private.
Në mesazhin e tij, Demo e lidhi reagimin me zhvillimet e së njëjtës ditë në Luksemburg, ku Shqipëria mbylli përkohësisht një tjetër kapitull negociues me Bashkimin Europian, duke theksuar se progresi europian kërkon përgjegjësi dhe respektim të standardeve demokratike.
“Sot, në Luksemburg, Shqipëria mori një tjetër vlerësim për përparimin e saj drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur përkohësisht një tjetër kapitull të negociatave. Ky përparim na ngarkon me përgjegjësi për të zbatuar standardet europiane edhe në mënyrën se si institucionet tona përballojnë kundërshtitë e cilitdo dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve.”
Ministri e cilësoi shqetësuese situatën e krijuar para Ministrisë së Arsimit dhe shprehu solidaritet me të gjithë të lënduarit.
“Ngjarjet e sotme përpara Ministrisë së Arsimit janë shqetësuese. Shpreh shqetësimin tim për çdo person të lënduar, qoftë student, qytetar, gazetar apo punonjës policie, dhe u uroj të gjithëve shërim të shpejtë. Institucionet përgjegjëse do të publikojnë një bilanc të plotë e të verifikuar të të lënduarve.”
Demo dënoi dhunën ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe dëmtimet e shkaktuara gjatë protestës.
“Dënoj pa asnjë rezervë sulmet ndaj punonjësve të Policisë, dëmtimin e pronës publike dhe private. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike që shteti ynë e garanton plotësisht. Dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet në emër të kësaj të drejte themelore.”
Kreu i Ministrisë së Brendshme theksoi se Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë qytetarët dhe institucionet, por njëkohësisht çdo veprim i saj duhet të jetë në përputhje me ligjin.
“Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë qytetarët, institucionet dhe sigurinë publike. Efektivët meritojnë mbështetje për ushtrimin e detyrës brenda ligjit dhe e kanë detyrë të mbrohen nga çdo sulm ndaj tyre.”
“Njëkohësisht, çdo veprim i Policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional. Organet kompetente do të shqyrtojnë paanshmërisht çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës, pa i paraprirë asnjë përfundimi hetimor. Çdo pamje dhe dëshmi që ndihmon në zbardhjen e çdo detaji të mundshëm duhet të ruhet dhe të verifikohet.”
Ministri nënvizoi se përgjegjësitë duhet të përcaktohen mbi bazën e provave dhe jo në mënyrë kolektive.
“Ligji duhet të zbatohet njësoj për këdo. Përgjegjësitë duhet të përcaktohen individualisht, mbi bazën e provave. Pjesëmarrja në të njëjtën protestë nuk e bën askënd përgjegjës për veprimet e një personi tjetër krah tij.”
Në përfundim, Demo bëri të ditur se ka kërkuar marrjen e masave për uljen e tensioneve dhe garantimin e sigurisë, duke theksuar se standardet europiane kërkojnë balancë mes rendit publik dhe respektimit të lirive themelore.
“U kam kërkuar strukturave përgjegjëse të marrin masat për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera, duke garantuar sigurinë publike dhe të drejtën për protestë paqësore. Gazetarët duhet të mund ta kryejnë punën e tyre në siguri. Standardi europian kërkon një shtet që garanton rendin, respekton liritë dhe jep llogari për veprimet e veta. Kjo është përgjegjësia që duhet të përmbushim edhe pas ngjarjeve të sotme.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



