Putin forcon Kodin e Familjes – Ndalon birësimet nga shtetas të vendeve që lejojnë ndryshimin e gjinisë

Botë | 2 vite më parë

Presidenti rus Vladimir Putin ka prezantuar një ndryshim në Kodin e Familjes të Federatës Ruse, i cili ndalon birësimin dhe kujdestarinë e fëmijëve rusë nga persona që janë shtetas të vendeve ku lejohet ndryshimi i gjinisë ose ndryshime të informacionit gjinor në dokumentet personale.

Në ndryshimet e fundit përveç propagandës dhe promovimit të komunitetetit LGBT dhe “ ndryshimit të gjinisë”, tani do të ndalohet edhe propagandimi i refuzimit për të lindur fëmijë, për të cilën do të vendosen gjoba deri në 50 mijë dollarë.  Ndalimi i birësimit do të zbatohet për të paktën 15 vende, shumica e tyre në Evropë dhe Australi, Argjentinë dhe Kanada, ndërsa birësimi i fëmijëve rusë nga qytetarët amerikanë u ndalua që në vitin 2012.

Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë në vitet e fundit kanë bërë gjithnjë e më shumë thirrje për respektimin e të ashtuquajturave vlera tradicionale si kundërvënie ndaj liberalizmit perëndimor. Ndërsa popullsia e Rusisë zvogëlohet, Putini ka bërë deklarata duke mbrojtur familjet e mëdha dhe vitin e kaluar u ka kërkuar grave që të kenë deri në tetë fëmijë. Rusia vitin e kaluar ndaloi procedurat mjekësore të tranzicionit gjinor dhe Gjykata e saj e Lartë e shpalli “lëvizjen” LGBTQ+ si ekstremiste.

Në vitin 2022, Putin nënshkroi një ligj që ndalon shpërndarjen e informacionit LGBTQ+ për njerëzit e të gjitha moshave, duke zgjeruar një ndalim të lëshuar në 2013 për shpërndarjen e materialit tek të miturit. Që kur dërgoi trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, udhëheqësi i Kremlinit e ka karakterizuar vazhdimisht Perëndimin si “satanik” dhe e ka akuzuar atë se po përpiqet të minojë Rusinë duke eksportuar ideologji liberale.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme