Rama me të rinjtë në Lezhë: Gjenerata juaj, përfituesit më të mëdhenj të integrimit në BE

Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kreu i Partisë Socialiste, prezantoi sot në Lezhë, para të rinjve, kandidatët për deputetë të kësaj force politike. Teksa e vuri theksin te përfitimit që do të ketë integrimi i vendit tonë në Bashkimin Europian, Rama tha se të rinjtë janë ata që do të përfitojnë më shumë.
“Përfituesit më të mëdhenj të 11 majit do jetë gjenerata juaj, për Shqipërinë në BE. Do jeni ju masivisht, që mbështesni planin europian, planin ambicioz për mbyllje negociatash më 2027 dhe anëtarësimin e Shqipërisë brenda kësaj dekade. Ka shumë që duan ta zbehin ambicien e Shqipërisë në BE, sepse thonë çfarë pasaporte europiane, s’ka pasaportë, por me hyrjen në BE vijnë shumë përfitime“, tha kryeministri.
Integrimin në bashkësinë europiane Rama e konsideroi si “qëllimin më të madh strategjik” për PS-në nëse do të fitojë një mandat të katër qeverisës, teksa nga ana tjetër tha se ka shumë njerëz që po përpiqen ta zbehin këtë ambicie të vendit.
“Ka shumë njerëz që përpiqen, disa me vetëdije, disa nga padija, që ta zbehin këtë ambicie dhe këtë qëllim të madh strategjik të mandatit të katërt për anëtarësimin në BE duke thënë që “ne nuk kemi asnjë ngut dhe kjo puna e pasaportës evropiane është kot, se ne e kemi pasaportën dhe ne lëvizim ku të duam me pasaportën, ne jemi evropianë. Pasaporta jonë nuk presupozon qëndrim, presupozon hyr dhe ik. Ndërkohë që pasaporta e BE-së presupozon që ti nuk ke më asnjë arsye dhe nuk të kërkon askush të ndalosh askund, sepse je brenda një perimetri kur je në Shqipëri, je në Francë, je në Irlandë apo je në Poloni, është e njëjta gjë, njësoj si të jesh në Lezhë, në Korçë, Elbasan apo në Tropojë”, theksoi Rama./ rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




