Rezervat e gjakut në Shkodër të pamjaftueshme, me rëndësi dhurimi vullnetar

Nevoja për gjak në Spitalin Rajonal të Shkodrës mbetet e vazhdueshme, ndërsa aktualisht ka rezerva të pamjaftueshme për disa grupe gjaku.
Sipas punonjësve të bankës së gjakut në Shkodër, familjarët e të sëmurëve mbeten dhuruesit kryesorë, por kontributi i tyre nuk arrin të përmbushë nevojat në rritje për gjak.
“Rezervat e gjakut ne i sigurojmë kryesisht me familjarët. Kemi edhe vullnetarë, pasi bëjmë thirrje kryesisht te infermieria për grupet e rralla: AB-, A-, B-, 0-. Për 0- kryesisht ka më shumë nevojë,” thotë infermierja Leze Tomaj.
Një rëndësi të veçantë në këtë drejtim ka shtimi i dhuruesve vullnetarë, të cilët në disa periudha janë të paktë.
Për të adresuar këtë situatë, Dega e Kryqit të Kuq në Shkodër ndërmerr rregullisht fushata dhe aktivitete sensibilizuese me synimin për të rritur numrin e dhuruesve.
“Nevojat për gjak janë të mëdha në Spitalin Rajonal Shkodër, jo vetëm për grupet e shpeshta, siç janë 0+ dhe A+, por edhe për grupe të rralla, siç janë 0- dhe A-. Ne si Kryq i Kuq bëjmë thirrje vazhdimisht për dhurime vullnetare të organizuara, por edhe për dhurime sporadike për nevoja të veçanta, siç janë grupet e rralla,” shprehet Vera Gjinaj, koordinatore për dhurimin e gjakut në Kryqin e Kuq në Shkodër.
Aktualisht, siç bëhet e ditur nga dega e Kryqi të Kuq në Shkodër, dhuruesit më të shumtë janë të rinjtë, veçanërisht studentët e Universitetit të Shkodrës, Dega Infermieri.
Apeli për dhurim gjaku mbetet i hapur për të gjithë qytetarët që duan të japin kontributin e tyre në shpëtimin e jetëve.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




