Rreziku nga bullizmi dhe shantazhi online, ministrja Koçiu: Nuk janë statistika, por alarm. Forcojmë hetimet në rrjet

Uncategorized | 11 muaj më parë

Nisja e fushatës globale të “16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” e ka gjetur Ministrinë e Brendshme me fokusin te një problem shqetësues: dhuna digjitale.

Ministrja Albana Koçiu mori pjesë sot në Konferencën Rajonale të OSBE-së për Evropën Juglindore, ku tema qendrore ishte pikërisht “Dhuna me Bazë Gjinore Online dhe Radikalizimi drejt Dhunës në Epokën Digjitale”.

Alarmi për dhunën digjitale

Në fjalën e saj, Koçiu ngriti shqetësimin se hapësira virtuale po kthehet gjithnjë e më shumë në një terren të pasigurt.

“Dhuna ndaj grave nuk është statistikë, është alarm për veprim. Këtë vit fokusi është te rreziqet online: bullizmi, shantazhi digjital dhe radikalizimi,” deklaroi Ministrja.

Ajo nënvizoi se këto forma të reja dhune kërkojnë një qasje ndryshe nga ajo tradicionale.

Strategjia e re

Për të luftuar këtë fenomen, Ministria e Brendshme ka shpalosur një plan masash që shtrihet përtej policimit fizik. Koçiu bëri të ditur tri shtyllat kryesore ku do të bazohet ndërhyrja:

  • Bashkëpunimi me platformat globale, për të bllokuar dhe gjurmuar materialet dëmshme.
  • Forcimi i hetimeve kibernetike dhe rritja e kapaciteteve për të zbuluar autorët e krimeve në internet.
  • Siguria në shkolla duke e lidhur me zbatimin e programeve që mbrojnë të rinjtë nga radikalizimi dhe bullizmi online.

Konferenca e OSBE-së mblodhi aktorë rajonalë për të koordinuar përpjekjet, duke pranuar se dhuna online nuk njeh kufij shtetërorë.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme