Studentët serbë i japin fund bllokadës para zyrës së transmetuesit publik

Rajon | 2 vite më parë

Studentët serbë i dhanë fund një bllokade dyjavore të zyrave të transmetuesit publik në Beograd, pasi ligjvënësit plotësuan një nga kërkesat e tyre dhe thirrën për zgjedhjen e anëtarëve të një organi rregullator të mediave.

Komisioni parlamentar i Kulturës dhe Informacionit u mblodh të hënën pasdite dhe votoi 15 me 1 për të anuluar konkursin e mëparshëm për anëtarësim në Këshillin e Organit Rregullator për Median Elektronike (REM), një organ i pavarur që ka fuqinë për të ndarë licenca transmetimi dhe për të vendosur gjoba mbi median elektronike.

Mbrëmë rreth orës 22:00, kur kishin kaluar plot 14 ditë bllokadë të paligjshme, parkingu përpara hyrjes së RTS-së në Takovska ishte pothuajse bosh.

Kujtojmë, se Serbia ka përjetuar që disa muaj protesta të udhëhequra nga studentët, të nxitura nga vdekja e 16 personave kur çatia e një stacioni hekurudhor u shemb në qytetin e Novi Sadit në nëntor.

Vdekjet ndezën zemërimin e akumuluar prej kohësh lidhur me korrupsionin dhe mungesën e mbikëqyrjes të supozuar për projektet e ndërtimit dhe zhvillimit.

Qindra studentë, të mbështetur nga qytetarë si dhe nga drejtues të disa universiteteve, kanë bllokuar që nga 14 prilli dy zyra të Radio Televizionit të Serbisë (RTS) në kryeqytet, selinë qendrore në Beograd dhe një studio.

Ata kishin bllokuar gjithashtu Radio Televizionin e Vojvodinës (RTV) në Novi Sad, megjithatë kjo bllokadë kishte zgjatur vetëm një ditë.

Ata akuzuan transmetuesit kombëtarë për injorimin e protestave të tyre dhe kërkuan raportim në interes të publikut dhe një zgjedhje transparente të anëtarëve të organit rregullator të medias.

 “Bllokada e RTS-së ka përfunduar”, shkruajtën studentët në Instagram, ndërsa të tjerë brohorisnin “Fitore, fitore!” teksa vallëzonin përpara zyrës së RTS-së në Beograd, sipas një reporteri të AFP-së.

Protestat kanë rritur presionin mbi qeverinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke çuar në dorëheqjen e disa zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe kryeministren.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme