Tragjedi në një festë rave në Zvicër, arrestohet 43-vjeçari për vrasjen e 22-vjeçares italiane, pesë të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin zviceran të Aaraut, ku një 43-vjeçar zviceran është arrestuar si autor i dyshuar i të shtënave me armë zjarri në një festë rave, ngjarje e cila këputi jetën një shtetaseje italiane dhe la pesë persona të tjerë të plagosur.
Incidenti ka ndodhur gjatë natës mes së shtunës dhe të dielës, në aktivitetin “Aarau rave Vol. 7”. Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, i dyshuari u ndalua rreth orës 1 të mëngjesit dhe autoritetet aktualisht besojnë se ai ka vepruar i vetëm.
Të shtënat ndodhën rreth orës 2:30 të mëngjesit, në momentin kur muzika kishte pushuar dhe turma po drejtohej drejt daljes. Në rrëmujën e krijuar, tingujt e armëve u ngatërruan fillimisht me fishekzjarre, derisa thirrjet e alarmit “Të gjithë poshtë!” bënë që pjesëmarrësit të kuptonin rrezikun real.
Si pasojë e sulmit, humbi jetën 22-vjeçarja italiane Maria Spinelli, e cila jetonte në Zvicër. Pesë persona të tjerë të pranishëm në festë – katër burra dhe një grua të moshës nga 24 deri në 27 vjeç – mbetën të plagosur. Dy prej tyre, shtetas italianë, pësuan lëndime të lehta dhe u liruan nga spitali gjatë pasdites.
Tri pistat e hetimit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar
Autoritetet zvicerane po shqyrtojnë tri hipoteza kryesore për të zbardhur ngjarjen: një sulm terrorist, një akt çmendurie (masakër), ose një akt kriminal të lidhur me larje hesapesh. Motivi i plotë mbetet ende i paqartë.
Në vendngjarje janë gëzhoja të kalibrit 9 mm dhe 4.5 mm, çka tregon përputhshmëri me të paktën dy lloje të ndryshme armësh, si pistoleta, mitralozë apo pushkë sulmi. Duke qenë se kufiri me Gjermaninë ndodhet vetëm pak kilometra larg, hetimet po zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me policinë e Freiburgut.
Reagimet zyrtare nga Italia dhe Zvicra
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka shprehur ngushëllimet më të thella për vdekjen e Maria Spinellit dhe keqardhjen e saj për të plagosurit. Një grup pune italian, i udhëhequr nga i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Italiane në Bernë, është dërguar në terren për t’i ardhur në ndihmë familjeve të përfshira dhe për të ndjekur hetimet.
Nga ana e saj, qeveria zvicerane i ka shprehur ngushëllimet Italisë përmes kreut të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme, Ignazio Cassis, ndërsa autoritetet vendase vijojnë veprimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




