Vangjeli: Evropa ka ndryshuar, po ashtu dhe qëndrimi i saj ndaj Shqipërisë
Analisti Lorenc Vangjeli ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH24, se Evropa ka ndryshuar thelbësisht dhe se ky ndryshim ka ndikuar edhe në qëndrimin e saj ndaj Shqipërisë.
Sipas Vangjelit, Evropa e para fillimit të luftës në Ukrainë ishte “cinike, egoiste, ksenofobe dhe arrogante” dhe ndryshe po sillet sot.
“Evropa e djeshme, pra, Evropa e cila kishte filluar të ishte, le të themi, të vendosim edhe një afat kohor përpara fillimit të luftës në Ukrainë, cinike, egoiste, ksenofobe dhe arrogante. Pra, kjo Evropa e djeshme, këtë dikotominë mes korrupsionit dhe luftës së tij, do ta shikonte me një sy tjetër dhe do thoshte, po, Shqipëria ka korrupsion endemik. Dhe ky është një problem i madh i cili duhet të adresohet. Evropa e sotme… Jo, jo, jo, jo, dëgjo, Evropa e sotme, për arsye nga më të ndryshmet, por sepse ka ndryshuar natyra e saj, thotë që dakord korrupsioni, por sukses është lufta që ju i bëni asaj. Duket sikur janë dy anë të të njëjtës medalje, dy të vërteta të cilat ekzistojnë veç e veç, por dhe e kundërshtojnë njëra-tjetrën”, deklaroi Vangjeli.
Vangjeli nënvizoi se ndryshimi i Evropës lidhet me luftën në kufijtë e saj lindorë dhe me realitetin gjeopolitik.
“Nuk është e njëjta Evropë, pra, ky është problemi. Sot Evropa, duke nisur, thashë edhe një herë, me problemin shumë të madh të luftës në kufijtë e saj lindorë, me probleme shumë herë më të mëdha, por edhe me filozofinë që nuk ka boshllëk… në gjeopolitikë nuk ka boshllëk.
Dhe në një rajon të trazuar si i Ballkanit, nëse do të mungonin aktorët e Perëndimit, aktorët kryesorë të Perëndimit, pra BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, fuqi jomiqësore, qoftë me BE-në, qoftë me Shtetet e Bashkuara, do të kishin terren për të hyrë, për të ndërhyrë.
Pra, është një Evropë e ndryshuar, që na jep këtë përqasje të ndryshuar, që kryeministri mund ta marrë për politikën e ditës si një dekoratë, por kjo nuk ndryshon asgjë në realitetin tonë. Dhe mund të thuhet që sërish, edhe një herë, e vërteta alternative e zonjës von der Leyen, është e vërtetë”, tha Vangjeli.
Ai shtoi se, ndërsa Evropa ka ndryshuar tonin, Departamenti Amerikan i Shtetit mbetet më tradicional dhe më afër realitetit, duke vazhduar të vërë theksin te korrupsioni, emigracioni, pastrimi i parave dhe krimi i organizuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




