Vangjeli: Historia politike e Shqipërisë mund të shkruhet edhe përmes kronikës së zezë
Analisti Lorenc Vangjeli ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH 24, ka deklaruar se historia politike e Shqipërisë moderne në katër-pesë vitet e fundit mund të shkruhet edhe nëpërmjet kronikës së zezë.
“Në fakt, historia politike e Shqipërisë moderne në këto katër-pesë vjetët e fundit mund të shkruhet edhe nëpërmjet kronikës së zezë. Pra, kronika e zezë. Në qoftë se shikojmë se çfarë ka ndodhur me SPAK-un dhe njerëzit që ai ka goditur, do të ishte në të njëjtën kohë dhe kronika politike,” tha Vangjeli.
Sipas tij, politika shqiptare, e mësuar të ishte ajo që jepte ritmin, tani po ndjek një drejtësi që nuk dihet se ku do të godasë.
“Të mësuar që politika ishte daja që jepte ritmin e valles. Tani politika është duke e vajtur pas një shkopi që nuk dihet se ku do godasë. Herë majtas, herë djathtas. Po tani, në këtë lloj epilogu kohor, duket se po godet shumë majtas,” theksoi ai.
Vangjeli vuri në dukje se, ndryshe nga sa do të duhej në një vend normal, kronika politike në Shqipëri shkruhet për fat të keq përmes kronikës së zezë. Kjo, sipas tij, tregon pulsin e tronditur të shoqërisë dhe të klasës politike.
“Kjo tregon që ka vendi realisht, që ka shoqëria realisht, pulsin e tronditur të të gjithë shoqërisë dhe natyrisht edhe të klasës politike, e cila tashmë ka pësuar atë fatin që zakonisht e urron dobësia: momentin kur preja lutet dhe lutet që të ndërrojë vendet me gjahtarin. Kjo lojë që gjahtari të provojë se çfarë ndjen preja. Ky është raporti mes politikës dhe drejtësisë, dhe drejtësisë që duket se do të jetë një vijimësi e gjatë për shkak të historikut dhe ngjarjeve,” përfundoi Vangjeli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



