Vazhdojnë protestat e studentëve në mbi 30 qytete të Serbisë, kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve parlamentare

Në më shumë se 30 qytete të Serbisë, qytetarët po mbahen protesta, me thirrjen e studentëve që po mbajnë bllokadë, duke kërkuar nga autoritetet shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Nën sloganin “Çohu Serbi”, studentët bënë thirrja për veprim kolektiv shtatë muaj pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona dhe një tjetër u plagos rëndë.
Mijëra studentë dhe qytetarë bllokuan dy urat mbi lumin Sava që lidhin qytetin e vjetër me atë të ri në orën 6 të mbrëmjes.
Slogani dominues në demonstrata është: “Ne kërkojmë drejtësi, ne duam të vërtetën, ne kërkojmë zgjedhje”.
Studentët në Serbi kanë bllokuar të gjitha fakultetet e universiteteve publike për më shumë se gjashtë muaj, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe civile për vdekjen e 16 personave në Novi Sad më 1 nëntor 2024.
Në fillim të majit, ata paraqitën një kërkesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke argumentuar se korrupsioni është thellësisht i rrënjosur në udhëheqjen aktuale politike dhe “nuk i lejon institucionet të funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe demokratike”.
Gjithashtu studentët njoftuan se do të marrin pjesë në zgjedhje me fletën e tyre të votimit, e cila do të përbëhet nga personalitete të shquara pa të kaluar politike.
Udhëheqja politike e Serbisë nuk duket e gatshme të plotësojë kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Presidenti i Republikës, Aleksandar Vuçiç, deklaroi së fundmi se “zgjedhjet do të mbahen brenda një viti e gjysmë dhe do të shpallen kur të vendosin institucionet kompetente”.
Një student i Fakultetit Juridik u drejtua të pranishmëve duke theksuar se një shoqëri demokratike nënkupton mbikëqyrjen e pushtetit dhe kërkimin e llogaridhënies.
“Është koha t’u kujtojmë se i shohim dhe duam zgjedhje të parakohshme. Koha është që të organizohemi dhe t’ua bëjmë të qartë se nuk do të tolerojmë parregullsitë zgjedhore dhe se Kushtetuta do të respektohet”, tha ai.
Organizimin e protestës në Novi Sad e mbështetën qytetarët e bashkuar në kuvende lokale. Një përfaqësuese e tyre kërkoi gjithashtu shpalljen e zgjedhjeve.
“Këtë po e themi nga Novi Sadi, por edhe qytete të tjera po protestojnë në të njëjtën kohë. Nuk ka më asnjë ditë për të pritur – ju mbetet vetëm të shpallni zgjedhje”, u shpreh ajo.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, nga partia në pushtet, reagoi duke e quajtur bllokimin e urave në Beograd “shqetësim i qytetarëve pa kuptim dhe qëllim”. Në një postim rrjetet sociale ajo e përshkroi protestën si “dhunë për hir të dhunës, me filozofi jete – mundemi, jemi arrogantë dhe të pandjeshëm”.
Studentët serbë që për më shumë se gjashtë muaj po bllokojnë fakultetet publike dhe po organizojnë protesta në gjithë Serbinë, gëzojnë mbështetjen e qindra mijëra qytetarëve – përfshirë grupe lokale, bujq, avokatë, aktorë, e të tjerë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




