Veliaj : Mirëpres dhe mbështes hapat procedurale të prokurorisë e posaçme për hetimin pasuror

Politikë | 2 vite më parë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se i mirëpriste hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj tij dhe familjarëve të tij si dhe mbështetjen e tyre në çdo hap.

Në një reagim në rrjetin social X zoti Veliaj, shkruan se “U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta”.

Zoti Veliaj premton se “Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës shkruan se ai nuk bën pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale. “Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumë vjeçare të mosndëshkueshmërisë” shkruan Zoti Veliaj.

Deklarata e kreut të bashkis së Tiranës vjen ndërsa të premten në mëngjes agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer  kontrolle në banesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe në studion private të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.

Kontrolli ndodhi ndërsa zoti Veliaj gjendej me shërbim jashtë shtetit. Ai u kthy në Tiranë mbrëmjen e së premtes.

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është vënë  prej kohësh në qendër të akuzave për korrupsion nga opozita, e cila bashkë me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit ka mbajtur para bashkisë 35 protesta duke kërkuar dorëheqjen e tij. 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme