Vuçiq takim me të dërguarin e BE në Beograd: Kosova po pengon dialogun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua të martën (25 mars) në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Në një postim në rrjetin social Instagram pas takimit, Vuçiq tha se takimi i tij i parë me të dërguarin e ri për dialogun ishte “i hapur dhe i drejtë” ndërsa thekson se e ka njoftuar “për problemet me të cilat ballafaqohen serbët” në Kosovë. Unë shpreha shqetësim të veçantë për pozitën e vështirë në të cilën ndodhen serbët për shkak të lëvizjeve të shumta përshkallëzuese, të njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës”, shkroi Vuçiq.
Presidenti serb e akuzoi Kosovën se po bën “pengesa të vazhdueshme në procesin e dialogut”, duke ripërsëritur se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë “është parakusht për fillimin e një normalizimi thelbësor të marrëdhënieve”.
Takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 17 dhjetor të vitit të kaluar.
Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Në vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.
Kjo është vizita e parë e Sorensen në Beograd pas marrjes së detyrës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





