Xi dhe Putin përforcojnë lidhjet mes Kinës dhe Rusisë pas betimit të Donald Trump

Presidentët e Kinës dhe Rusisë, Xi Jinping dhe Vladimir Putin, zhvilluan një video-telefonatë disa orë pas betimit të Donald Trump si president i SHBA-së. Gjatë bisedës, ata u angazhuan të çojnë marrëdhëniet dypalëshe në “nivelet më të larta”, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Putin e quajti Xi një “mik të dashur” dhe vuri në dukje se lidhjet mes Rusisë dhe Kinës po zhvillohen mbi bazën e miqësisë, besimit të ndërsjellë dhe mbështetjes, pavarësisht presionit të jashtëm. Nga ana tjetër, Xi e inkurajoi Putinin të vazhdojë të “thellojë koordinimin strategjik dhe të mbrojë interesat legjitime të dy vendeve”.
Kjo telefonatë u zhvillua në një moment të ndjeshëm, pasi Trump kishte paralajmëruar masa të ashpra ndaj Kinës, përfshirë vendosjen e një tarife 10% për importet e mallrave të prodhuara nga Kina që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Gjithashtu, Trump kërcënoi Moskën me pasojat e “telasheve të mëdha” nëse nuk arrin një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Xi dhe Putin konfirmuan gjithashtu gatishmërinë për të zhvilluar marrëdhënie me SHBA-në mbi baza të drejta dhe reciproke, nëse administrata Trump do të shfaqë interes. Telefonata, e cila zgjati rreth një orë e gjysmë, përfshiu gjithashtu diskutime për çështje të tjera ndërkombëtare, si situata në Lindjen e Mesme, Koreja e Jugut dhe Tajvani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




