Zgjedhjet në Kosovë- Mesnata afati i fundit për diasporën. 51 mijë votues nga jashtë, shumica aplikuan për postën
Përfundon mesnatën e kësaj të shtune procesi i regjistrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendi për të votuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 26 nëntori deri pasditen e 5 dhjetorit, u pranuan rreth 64,000 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës, nga të cilat u miratuan 57,000, ndërsa 6,700 të tjerë u refuzuan. Shumica e votuesve të regjistruar, rreth 41,000 aplikuan përmes postës. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, shpjegoi se votuesit që regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës largohen nga lista e votuesve brenda vendit.
“Procesi i regjistrimit është mundësuar vetëm për shtetasit që duan të regjistrohen për të votuar nga jashtë Kosovës, ndërkaq për të votuar në vendvotimin e tyre në Kosovë nuk ka pasur nevojë të regjistrohen. KQZ ka detyrim ligjor që çdo shtetas i regjistruar për të votuar jashtë Kosovës të mos figurojë më në listën e votuesve brenda vendit, duke e pasur të drejtën e votimit vetëm jashtë Kosovës, sipas kërkesës së votuesit. Ky njoftim u dërgohet individualisht të gjithë aplikuesve. Ndërkohë, të gjithë shtetasit që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk regjistrohen për të votuar nga jashtë Kosovës, ndodhen në listën e votuesve brenda vendit”, sqaroi Elezi.
Faza e radhës për votuesit e regjistruar do të jetë votimi, që sipas KQZ-së do të organizohet në afate të ndryshme, varësisht nga lloji i votimit që kanë përzgjedhur votuesit gjatë regjistrimit.
“Votuesit që kanë përzgjedhur të votojnë fizikisht, do të mund të votojnë më 27 dhjetor, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Votimi fillon në orën 07:00 dhe mbyllet në orën 19:00, sipas orës lokale të çdo shteti. Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 12 dhjetor dhe do të përfundojë më 27 dhjetor 2025. Për votimin me postë, janë aktive kutitë postare në 22 shtete të ndryshme të botës dhe kutia postare e KQZ-së në Kosovë”, tha Elezi.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në fillim të vitit 2025, numri i qytetarëve të regjistruar për votim jashtë Kosovës ishte rreth 105 mijë, pjesa më e madhe e tyre, rreth 85 mijë ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe vetëm një pjesë në përfaqësitë diplomatike të shtetit të Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




