Zgjedhjet, PS nis fushatën elektorale më 12 prill për “Shqipërinë 2030 në BE”. PD e nis më 11 prill me “Rrugëtimin drejt fitores”

Politikë | 2 vite më parë

Tirana do të jetë qendra e nisjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, që do të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë dhe qeverinë e ardhshme të vendit. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nisin fushatat e tyre më 11 dhe 12 prill, duke mobilizuar mbështetësit përpara garës së rëndësishme politike.

Partia Socialiste do të çelë fushatën më 12 prill në orën 12:00, në sheshin “Skënderbej” me sloganin “Shqipëria 2030 në BE”.

“Më 12 prill, nga 12 qarqe, rreth 12 yjeve të Europës”, shkruan kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, ku pritet të japë mesazhin e tij politik për rrugëtimin europian të vendit dhe të paraqesë vizionin e PS për dekadën e ardhshme.

Prej kohësh kryeministri Edi Rama, i cili lufton për një mandat të katër qeverisës, është shprehur se zgjedhjet e 11 majit janë historike pasi është një votë për vendin në BE dhe marrjes së pasaportës europiane nga shtetasit shqiptarë.

Edhe koalicioni opozitar “Aleancën për Shqipërinë Madhështore” do të hapë fushatën më 11 prill, në orën 19:00, në sheshin “Nënë Tereza”. Me sloganin “Rrugëtimi drejt fitores”, opozita synon të sjellë energji të reja dhe të paraqesë alternativën e saj për qeverisjen e vendit. Në këtë event do të prezantohet edhe programi qeverisës.

Fushata zgjedhore pritet të jetë dinamike dhe intensive, mes mazhorancës aktuale që kërkon një mandat të ri dhe opozitës që synon rikthimin në pushtet.

Zgjedhjet e 11 majit do të jenë vendimtare për drejtimin e Shqipërisë në katër vitet e ardhshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme