Zgjedhjet vendore në Kosovë – Mbahet nesër raundi i dytë për zgjedhjen e kryetarëve të 18 komunave

Kosovë | 12 muaj më parë

Një milion e 316 mijë e 672 banorë të 18 komunave të Kosovës do t’u drejtohen sërish të dielën kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e këtyre komunave në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore. Janë 507 qendra votimi të cilat do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19 ku qytetarët do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur mes dy kandidatëve që morën më shumë vota në raundin e parë të 12 tetorit.

Zëdhënësi i komisionit qendror të zgjedhjeve bëri me dije se janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Gjatë ditës së shtunë, KQZ ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, në 18 komuna, në të cilat do të votohet më 9 nëntor. Ky material, në orët e hershme të mëngjesit do të dërgohet në Qendrat e Votimit / Vendvotime, të cilat do të hapen në orën 07:00”, tha Elezi.

Masa janë marrë edhe nga policia e Kosovës  për garantimin zgjedhjeve të qetë si dhe sigurinë materialeve zgjedhore deri në përfundim të procesit.  Balotazhi për kryetarë të komunave do të mbahet nesër në 18 komuna – Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme