Zjarret në Shkodër, situata nën kontroll në Malin e Tërbunit. Në zonën Gjegjan–Gojan vijon lufta me flakët, nuk ka rrezik për banesat
Në qarkun e Shkodrës, vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në pyjet në Malin e Tërbuinit dhe në zonën Gjegjan–Gojan në Bashkinë Pukë. Në një përditësim lidhur me situatën, Perfekti i qarkut bën me dije se në Malin e Tërbunit situata është nën kontroll, por problematike situata paraqitet në zonën Gjegjan–Gojan, ku flakët janë përhapur për shkak të favorizimit nga temperaturat tepër të larta dhe era.
Në terren janë angazhuar dy mjete zjarrfikëse të Bashkive Pukë dhe Fushë-Arrëz, efektivë të MZSH Pukë dhe Fushë-Arrëz, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, punonjës të administratës, banorë dhe vullnetarë të zonës.
Ndërhyrja po mbështetet nga ajri me dy helikopterë, të cilët po operojnë në zonat ku terreni i vështirë kufizon ndërhyrjen nga toka. Aktualisht nuk raportohet afërsi kritike me banesat.
“Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin e të gjitha strukturave dhe kapaciteteve të angazhuara në terren për mbrojtjen e jetës dhe banesave të qytetarëve deri ne normalizimin e situatës”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



