Zogaj: Protesta kaloi nga flamingot te gurët, Qeveria propozoi një garë durimi

Aktualitet | 17 minuta më parë

Në emisionin “Trialog” në RTSH-24, analisti Preç Zogaj analizoi kalimin e protestës nga një manifestim paqësor shumëditor në akte dhune me goditje ndaj institucioneve dhe pronës. Sipas tij, ky ndryshim nuk është i papritur, por rrjedhojë e mënjanimit të kërkesave fillestare.

“Protesta që zgjati 135 ditë, kaloi nga flamingot, që ishin si simbol i saj, te gurët. Këtu jemi sot. Pra është një ndryshim i madh. Pse ndodhi kjo? Arsyet kanë të bëjnë me indiferencën dhe me qasjen e gabuar të qeverisë perkundrejt kërkesave që paraqiti protesta masive, paqësore.”, tha Zogaj.

Zogaj theksoi se reagimi i pushtetit dhe kryeministrit u përqendrua në ruajtjen e pozicioneve komode dhe konsolidimin e brendshëm politik, duke injoruar paketën e reformave ligjore dhe zgjedhore të propozuara gjatë protestës paqësore.

“Qeveria propozoi, sipas mendimit tim, një garë durimi me protestën, duke qenë vetë në pozita komode. Dhe në vend të reflektimit për disa propozime që mund të kishin sjellë një dinamikë… reagimi i kryeministrit shkon më shumë në drejtimin e forcimit të unitetit brenda Partisë Socialiste.”, tha Zogaj.

Mbi natyrën e zhvillimeve të fundit, analisti sqaroi se ngjarjet aktuale kanë hyrë në kuadrin e mosbindjes civile. Ai nërmend se kjo formë reagimi kërkon përballje të hapur me pasojat ligjore dhe përfaqësim pa anonimitet.

“Tani, këto dy ditë, pra nga kalimi nga flamingot te gurët, jemi në kufijtë e mosbindjes civile. Kjo është mosbindja civile, që njerëz, grupe njerëzish dalin dhe pa paralajmërim godasin institucione. Mosbindja civile është një vendim për të shkelur ligjet në fuqi me vetëdije duke marrë parasysh pasojat.”, tha ai.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme