Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kallas: Shqipëria ka bërë hapa dhe reforma të mira, shpresojmë se do të kemi disa histori suksesi

Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, agresioni rus kundër Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme dhe Siri, marrëdhëniet BE-Afrikë dhe Dialogu i parë Politik i Nivelit të Lartë BE-Palestinë, ishin temat kryesore në agjendën e takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të hënën në Luksemburg, ndërsa ministrat e Jashtëm diskutuan edhe për tensionet në disa pjesë të rajonit dhe progreset e bëra nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, në përmbushjen e kushteve të anëtarësimit të tyre në BE.
Këshilli i Punëve të Jashtme, i kryesuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, u shpreh për mediat se gjatë takimit sot dhe dje me ministrat e Ballkanit Perëndimor u zhvilluam diskutime shumë të mira për rajonin.
“Është e qartë se stabiliteti dhe siguria e rajonit është thelbësore dhe nëse shikoni hartën, Ballkani Perëndimor ndodhet në Evropë dhe gjeografikisht duhet të jetë gjithashtu në Bashkimin Evropian”, tha ajo në një komunikim me mediat.
Sipas saj, procesi i zgjerimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe BE-ja duhet të ecë përpara.
“Ne po shohim që Shqipëria dhe Mali i Zi janë duke bërë vërtet hapa dhe reforma të mira. Pra, shpresojmë se do të kemi disa histori suksesi”, tha Kallas.
Ndërsa Bosnjë- Hercegovina, sipas saj, është në një krizë kushtetuese dhe është e qartë se çdo përpjekje për të përçarë Bosnjë- Hercegovinën është e papranueshme.
“Liderët politikë duhet të tejkalojnë mosmarrëveshjet për të mos i zgjeruar ato. Kur isha atje, vura re gjithashtu se zgjerimi është diçka, që të gjithë binin dakord. Pra, ata duhet të ecin përpara me vendimet në këtë drejtim – sepse kritikat për ndërhyrjen ndërkombëtare mund të jenë. Dua të them, ndërhyrja ndërkombëtare mund të hiqet gradualisht nëse shihet se të gjithë janë në gjendje të marrin vendimet e tyre vetë”, theksoi Kallas.
Lidhur me çështjen e dialogut Serbi-Kosovë, sipas saj, është e qartë se normalizimi i marrëdhënieve të tyre është e një rëndësie të madhe.
“Kjo është arsyeja pse dialogu nga Beogradi duhet të vazhdojë. Ne kemi caktuar një përfaqësues special për dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen. Gjithashtu, unë do t’i vizitoj këto 2 vende në maj. Ajo që u diskutua dhe u tha shumë qartë edhe nga vende të ndryshme anëtare është se çdo pjesëmarrje në 9 maj, parada apo festime në Moskë, nuk do të merret lehtë nga pala evropiane, duke pasur parasysh se Rusia, me të vërtetë, po bën një luftë në shkallë të gjerë në Evropë”, tha shefja e BE-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




