70 milion euro investim për energji të pastër – Impianti i ri në Malin e Zi redukton ndotjen mbi 30 herë dhe forcon drejt BE-së

Rajon | 11 muaj më parë

Në qytetin e Plevljës në Malin e Zi, po mbyllet një kapitull i vjetër, teksa termocentrali i njohur i zonës po i nënshtrohet një rindërtimi të madh ekologjik. Investimi prej 70 milionë eurosh synon ta bëjë impiantin plotësisht në përputhje me standardet evropiane të mjedisit.

Drejtori Žarko Ćaćić thotë se rehabilitimi do të ulë ndjeshëm ndikimin e termocentralit në ajër, ujë dhe tokë. Një nga pjesët më të rëndësishme të projektit është impianti i ri i desulfurizimit, i cili do të reduktojë oksidet e squfurit mbi 30 herë.

Sipas Ivan Starovlah, këto okside janë të rrezikshme për mushkëritë dhe shkaktojnë sëmundje kronike, prandaj sistemi i ri është jetik për shëndetin publik. Përfitimi më i madh për qytetin, thotë Bojan Đordan, është se ndotja nuk do të dominohet më nga oxhaqet individuale, të cilat për vite ishin burimi kryesor i ndotjes së ajrit.

Rindërtimi i TEC-it është pjesë e një plani më të gjerë për dekarbonizimin e sektorit të energjisë në Mal të Zi. Projekti shoqërohet me investime në energji të rinovueshme, nga panelet diellore e deri te zgjerimi i hidrocentralit Krushevo. Po ashtu, po finalizohen punimet në parkun e erës Gvozd, ku pritet të prodhohen kilovatët e parë brenda pak kohësh. Në proces janë edhe negociatat për fazën e dytë të këtij impianti, si dhe zhvillimi i sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë.

Ministri i Energjisë, Admir Šahmanović, thotë se rritja e kërkesës për energji dhe ndryshimet klimatike e bëjnë të domosdoshme këtë valë investimesh. Ai thekson se shteti po përgatitet që, përveç furnizimit të qëndrueshëm me energji, të tërheqë edhe investime teknologjike dhe të përgatitet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme