Interes i lartë për DIVA-n, 1.5 miliardë lekë në informacion, nuk ka afat përmbyllës për aplikimet

Financë | 3 muaj më parë

Administrata Tatimore ka identifikuar 41 195 individë përfitues të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA). Deri tani janë rimbursuar 39 965 qytetarë, me një vlerë totale prej 597.8 milionë lekësh. Drejtuesit e financave e vlerësuan pozitivisht ecurinë e procesit të rimbursimit.

“Vlera e parashikuar për këtë zë është në masën 15 milionë euro ose 1.5 miliardë lekë”, u shpreh ministri Malja. “Rimbursimi i DIVA-s filloi si proces me intensitet shumë të lartë. Për herë të parë administrata u përball me një kërkesë rimbursimi prej 40 000 individësh. Pra ishte një kërkesë shumë e lartë krahasuar me 2 000 të mëparshëm”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve tha se po punohet për digjitalizimin e mëtejshëm të procesit, ndërsa sqaroi edhe afatet për aplikimin në DIVA.

“Në këtë rast nuk ka afat rimbursimi. Pra, rimbursimi mund të vazhdojë, mund ta bësh kur të duash për një afat pesëvjeçar. Njerëzit mund të presin edhe vitin tjetër që ta kompensojnë me tatimin që mund t’u dalë ose mund t’i mbledhin bashkë dy vite dhe të bëjnë një rimbursim për të dyja shumat së bashku.”

Sipas Binajt, numri i personave që mund të përfitojnë nga DIVA vlerësohet të arrijë në rreth 77 mijë individë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme