Pukë/ Një person i armatosur i shmanget policisë gjatë një aksioni antikanabis në Kodërbojë, qëllohet me armë në ajër

Gjatë një aksioni të Policisë së Shtetit kundër kultivimit të lëndëve narkotike në fshatin Kodërbojë të Pukës, një person i armatosur i është shmangur kontrollit të efektivëve.
Sipas të dhënave paraprake, gjatë operacionit për asgjësimin e një parcele me bimë të dyshuara narkotike, shërbimet e policisë kanë pikasur një shtetas të armatosur. Në momentin që ka konstatuar praninë e forcave të rendit, ai është larguar me shpejtësi duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të ndaluar.
Për ta paralajmëruar dhe frenuar arratisjen e tij, një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Megjithatë, duke shfrytëzuar terrenin e thyer malor dhe dendësinë e zonës, personi i armatosur ka mundur të largohet.
“Një prej punonjësit të Policisë ka qëlluar me armë zjarri në ajër, për ta paralajmëruar, por personi i armatosur, duke përfituar nga terreni, ka mundur të largohet.”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të dyshuarit. Ndërkohë, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Komisariatit të Pukës dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë (FKS) kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë krehjen e terrenit për kapjen e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




