I përjetshmi Fernando Alonso! Aston Martin e konfirmon edhe për Botërorin 2027

Fernando Alonso ka larguar edhe dyshimet e fundit dhe Aston Martin nuk është menduar dy herë për ta konfimuar për vitin e 5-të radhazi dy herë kampionin e botës. Në 2027-ën 45-vjeçari asturian do të marrë pjesë për herë të 24-t në një kampionat botëror të Formula 1.
Karrierën e ka nisur në 2001-shin e largët, ka munguar vetëm në 2002-shin dhe në dyvjeçarin 2019-2020. Është konfirmuar nga Aston Martin edhe Lance Stroll.
“Aston Martin Aramco konfirmon se Lance Stroll dhe Fernando Alonso do të vazhdojnë si pilotë të skuadrës sonë, duke zgjatur kontratat e tyre afatgjata. Duke qenë pilotët më ekspertë të Formula 1, kjo dyshe do të vazhdojë t’i ofrojë Aston Martin Aramco një njohje të çmuar të garave dhe teknikës, ndërsa skuadra zhvillon më tej punën e bërë në sezonin 2026. Impenjimi i dy pilotëve tregon motivimin e tyre të fortë dhe besimin te skuadra”, – shkruhet në njoftimin e Aston Martin.
“Jam shumë i lumtur të firmos një kontratë të re me Aston Martin Aramco. Mora kohë për të vendosur, por garat janë jeta ime, pasioni im. E di që kam ende shpejtësinë dhe përqendrimin për të garuar në nivele të larta. Besoj vërtet tek ajo që po ndërtojmë”, – tha mes të tjerash Alonso pas rinovimit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




