Premier League publikon vendimin dërrmues për akuzat City-t, denoncon kontratat “fiktive”

Angli | 1 orë më parë

Premier League ka konfirmuar se Manchester City është shpallur fajtor për shkelje të rregullave financiare, duke e cilësuar këtë si çështjen më të rëndësishme disiplinore në historinë e kampionatit, në një deklaratë tejet kritike.

Një panel i pavarur prej tre personash ka konfirmuar akuzat e ngritura nga Premier League ndaj City-t në shkurt të vitit 2023, më shumë se një vit pas përfundimit të seancës dëgjimore.

Është konfirmuar se City u shpall fajtor për “të gjitha akuzat që lidhen me shkelje serioze të rregullave financiare të Premier League gjatë një periudhe prej nëntë sezonesh, si dhe për shumicën e akuzave lidhur me dështimin për të bashkëpunuar në hetimin e Ligës”.

Mes të tjerash thuhej se: “U konstatua se qëllimi i këtyre skemave ishte rritja artificiale e të ardhurave të klubit dhe ulja e kostove të tij me më shumë se 900 milionë paund gjatë periudhës në fjalë, me qëllim që të krijohej përshtypja e respektimit të rregullave financiare. Si pasojë e kësaj, sipas gjetjeve të Komisionit, klubi dorëzoi pasqyra financiare të pasakta dhe fshehu gjendjen reale të financave të tij nga auditorët dhe organet rregullatore të futbollit”. Komisioni arriti në përfundimin se “me veprimet e tij, klubi kishte për qëllim të qartë t’u shmangej rregullave të Premier League-s”. A.V.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme