Kodi i Procedurës Penale, Gogu: Arresti në burg të ketë karakter përjashtimor. Vëmë në funksion mbikëqyrjen elektronike brenda pranverës së ardhshme

Politikë | 1 orë më parë

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi sot, së bashku me Këshillin e Europës, projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke hapur konsultimin publik për një ndërhyrje të gjerë në legjislacionin procedural penal. Në qendër të ndryshimeve janë paraburgimi, alternativat ndaj arrestit në burg, forcimi i garancive procedurale dhe mbrojtja e të drejtave të individit. Në prani të Kryeministrit, përfaqësuesve të Këshillit të Europës dhe drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, Gogu e nisi fjalën me rastin e Afërdita Hysës, të shqyrtuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, për të theksuar rëndësinë e arsyetimit të çdo vendimi që kufizon lirinë e individit.

Ministri solli në vëmendje të dhënat e Këshillit të Europës, sipas të cilave, në vitin 2024, pothuajse gjashtë në dhjetë persona në institucionet penitenciare shqiptare nuk kishin ende një vendim të formës së prerë, ndërsa kohëzgjatja mesatare e paraburgimit në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm ishte rreth 253 ditë. Gogu theksoi se arresti në burg duhet të ketë karakter përjashtimor, ndërsa pesha e akuzës nuk mund të jetë e mjaftueshme në vetvete për kufizimin e lirisë. Sipas tij, duhet të argumentohet konkretisht përse masat e tjera më pak kufizuese nuk janë të mjaftueshme.

“Raporti i Shqipërisë është më i lartë në krahasimin e bërë nga Këshilli i Europës. Ndërkohë, disa vende të rajonit gjenden në krahun e kundërt të renditjes. Ka raste kur arresti me burg është i domosdoshëm, kur rreziku i arratisjes është i vërtetë dhe kur mund të kërcënohen viktimat dhe dëshmitarët dhe shteti duhet të veprojë me domosdoshmëri. Sot, 253 njerëz ndodhen në paraburgim dhe një pjesë e madhe e tyre presin një vendim përfundimtar. Ne duhet të shqyrtojmë kohëzgjatjen dhe alternativat në funksionimin e sistemit”, tha Gogu.

Projektndryshimet parashikojnë forcimin e të drejtave të mbrojtjes gjatë hetimit, kufizimin e aksesit në të dhënat personale gjatë sekuestrimit të telefonave, mbrojtjen e prezumimit të pafajësisë dhe masa shtesë për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

“Në pranverën e këtij viti, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhanë një përgjigje të fortë, duke thënë se arresti me burg ka karakter përjashtimor, se pesha e akuzës nuk mjafton në vetvete dhe se rreziku duhet të jetë konkret, si dhe që Prokuroria të përligjë pse asgjë më pak se burgu nuk mjafton. Të njëjtin standard ka vendosur edhe Strasburgu dhe ne kërkojmë ta shprehim më qartë në Kodin e Procedurës Penale. Drejtësia duhet të marrë parasysh se një arsye që ekzistonte në ditën e parë mund të jetë fashitur në muajin e gjashtë.

Paraburgimi është pjesa më e dukshme e kësaj reforme, por jo e vetmja. Ne propozojmë që prokurori të ketë detyrimin që të dokumentojë dhe të vërë në dispozicion edhe provat në favor të të pandehurit, ndërsa mbrojtjes t’i njihet e drejta për të hetuar. Hetimi tanimë do të ketë një fillim normal, sipas propozimeve, dhe një objekt të përcaktuar. Kush thirret si dëshmitar, ndërkohë që trajtohet si i dyshuar, duhet të gëzojë mbrojtjen që i takon të dyshuarit”, theksoi ministri.

Një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së ministrit ishte funksionimi i alternativave ndaj paraburgimit. Gogu njoftoi se qeveria ka ndarë fondet për mbikëqyrjen elektronike dhe se Ministria e Drejtësisë angazhohet ta vërë atë në funksion brenda pranverës së ardhshme.

Ministri propozoi gjithashtu hartimin e një strategjie të përbashkët për paraburgimin, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, me fokus cilësinë e vendimeve, funksionimin e alternativave dhe transparencën. Duke ftuar gjyqtarët, prokurorët, avokatët, akademikët dhe shoqërinë civile të kontribuojnë në konsultimin publik, të hapur deri më 28 tetor, Gogu theksoi rëndësinë e përfshirjes së profesionistëve të drejtësisë në hartimin e ndryshimeve.

“Sfida e shtetit të së drejtës është t’u dalë për zot të dyjave. Të ndjekë krimin pa i hyrë në hak prezumimit të pafajësisë. Të mbrojë shoqërinë pa e trajtuar akuzën si dënim“, tha ai. Me këtë mesazh, ministri nënvizoi synimin për një drejtësi që tregon të njëjtën forcë përballë krimit dhe në mbrojtjen e lirisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme