Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Rama: Paketa e re për drejtësinë u hartua me ekspertizën e Italisë, Francës dhe Holandës

Politikë | 29 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paketën e re të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, një ndërhyrje që prek rreth një të pestën e kodit aktual dhe që synon të ndryshojë qasjen ndaj masave të sigurisë, duke kufizuar përdorimin e arrestit me burg dhe duke forcuar parimin e proporcionalitetit në procesin penal.

Gjatë prezantimit, Rama theksoi se një nga shtyllat kryesore të reformës është ndryshimi i kulturës së ndjekjes penale, ku paraburgimi nuk duhet të jetë masa e parë që merret ndaj një personi të dyshuar, por alternativa e fundit që përdoret nga drejtësia.

Sipas kreut të qeverisë, gjykatat do të duhet ta nisin vlerësimin nga liria dhe të shqyrtojnë fillimisht masat më të buta të sigurisë.

Ai bëri të ditur se për veprat penale që parashikojnë dënim deri në tre vite burgim nuk do të vendosen masa shtrënguese sigurie, ndërsa për veprat që kanë dënim deri në pesë vite burgim nuk do të aplikohet masa e arrestit me burg.

Rama nënvizoi se problematika e përdorimit të tepruar të paraburgimit nuk është një fenomen i ri i krijuar nga pavarësia e pushtetit gjyqësor, por një trashëgimi e kahershme e sistemit.

“Jemi shumë të qartë se kjo është një e keqe e hershme. Vijimësia e kësaj inercie negative na tregon se nuk kemi të bëjmë me një pasojë që ka lindur rishtas nga pavarësimi i pushtetit gjyqësor, por me një kulturë të vjetër varësie të drejtësisë dhe të kultit të forcës. Paraburgimi, sipas Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duhet të jetë masa e fundit, ndërsa në Shqipëri është bërë qendra e gravitetit të procesit penal”, deklaroi kryeministri.

Sipas tij, paketa e re reformon në mënyrë tërësore procedurat penale dhe ndërtohet mbi parimin që çdo ushtrim i pushtetit në procesin penal duhet të ketë bazë të qartë ligjore, të jetë proporcional me qëllimin që synon të arrijë dhe t’i nënshtrohet kontrollit të plotë gjyqësor.

“Çdo ushtrim i pushtetit në procesin penal duhet të ketë një bazë të qartë në ligj dhe të jetë proporcional me qëllimin. Ai duhet t’i nënshtrohet kontrollit përmbajtësor dhe jo vetëm formal të gjykatës dhe duhet të prodhojë pasoja juridike kur tejkalon kufijtë e vet”, u shpreh Rama.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu punën e ekspertëve vendas dhe të huaj që kanë kontribuar në hartimin e paketës, duke theksuar mbështetjen e qeverive të Italisë dhe Francës, si dhe kontributin e profesorëve dhe magjistratëve nga Italia, Franca dhe Holanda.

“Duhet të ndalem këtu tek roli i paçmuar i skuadrës suaj dhe i juaji personalisht. Angazhimi i drejtpërdrejtë në këtë punë, nën drejtimin, disiplinën dhe integritetin e domosdoshëm europian që ju keni sjellë, është themelor për rezultatin që kemi sot. Mbështetja e çmuar e qeverive të Italisë dhe Francës na hapi dyert e një ekspertize të klasit të parë, ndërsa kontributi i profesorëve dhe magjistratëve italianë, francezë dhe holandezë i ka dhënë kësaj pakete thellësinë krahasuese që një reformë kërkon.”

Ai tha se ekspertiza ndërkombëtare i ka dhënë reformës një bazë të fortë krahasuese dhe standarde evropiane, duke e konsideruar këtë proces një hap të rëndësishëm në konsolidimin e reformës në drejtësi dhe forcimin e garancive për të drejtat e qytetarëve në procedurat penale.

“Ndërkohë që Sekretariati Teknik Shqiptar bëri vetëm koordinimin e kësaj pune shumë voluminoze, të 100 e kusur nenet e kësaj pakete janë fryt i qindra orëve punë dhe debateve ndërmjet ekspertësh që vijnë nga tradita të ndryshme juridike, nën vëzhgimin e rreptë të Këshillit të Europës, i cili ka certifikuar çdo hap dhe dokumentin përfundimtar që është përpara jush për t’u kthyer në një bazë të konsultimit publik. Nuk ka në ato 105 nene asnjë ‘ballomë alla-shqiptarçe’. Çdo zgjidhje është ballafaquar me Kushtetutën tonë, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, me vendimet njësuese të Gjykatës së Lartë, me jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut dhe me të drejtën e Bashkimit Europian. Duhet të ndalem këtu te roli i paçmuar i skuadrës suaj dhe i juaji personalisht. Angazhimi i drejtpërdrejtë në këtë punë, nën drejtimin, disiplinën dhe integritetin e domosdoshëm europian që ju keni sjellë, është themelor për rezultatin që kemi sot.

Mbështetja e çmuar e qeverive të Italisë dhe Francës na hapi dyert e një ekspertize të klasit të parë, ndërsa kontributi i profesorëve dhe magjistratëve italianë, francezë dhe holandezë i ka dhënë kësaj pakete thellësinë krahasuese që një reformë kërkon. mKëshilli i Europës e ka kaluar paketën në filtrin e Konventës dhe të standardeve europiane, duke e vlerësuar si një projekt që rrit transparencën e procesit penal dhe zgjeron realisht të drejtat e mbrojtjes. mKjo është për ne garancia më e mirë që po ndërmarrim një tjetër reformë modernizuese për sistemin e drejtësisë dhe europianizuese për shtetin shqiptar, ku procesi penal duhet të nisë nga zanafilla e lirisë dhe jo nga burgu si pikënisje.” – u shpreh Kryeministri Edi Rama.

/rtsh.al


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme