Ndryshime në Kodin Penal, Rama: Jemi vendi me barrën më të rëndë të paraburgimeve, s’mund të vazhdojmë me shifra të tilla

Politikë | 51 minuta më parë

Në kuadër të reformës në drejtësi janë prezantuar projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, të cilat synojnë forcimin e garancive për qytetarët dhe rritjen e efektivitetit të sistemit të drejtësisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Gjatë prezantimit të paketës së re, kryeministri Edi Rama deklaroi se reforma në drejtësi ka sjellë rezultate të rëndësishme, por njëkohësisht ka nxjerrë në pah edhe dobësi që, sipas tij, duhet të adresohen.

Rama u ndal veçanërisht te çështja e paraburgimit, duke theksuar se Shqipëria ka një përqindje të lartë të personave që ndodhen në burg në pritje të gjykimit.

“Ligjëruam çlirimin e drejtësisë nga pushteti politik pas një varësie kronike që nga viti 1912. Sot kemi mësuar shumë. Kemi parë forcën e re të reformës dhe dobësitë që dolën në pah. Kemi parë rezultate që dikur dukeshin të paimagjinueshme, por kemi parë edhe dështime dhe deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve. Kjo reformë është sa brutale, aq edhe dobiprurëse. Për 10 vite, ajo ka shembur kultin e pandëshkueshmërisë”, u shpreh Rama.

Sipas Ramës, paketa e re përfaqëson një ndërhyrje të rëndësishme për forcimin e prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave të njeriut përballë shtetit.

“Një drejtësi e fortë ndaj krimit dhe korrupsionit duhet të jetë po aq e fortë edhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarit”, tha Rama.

Duke iu referuar të dhënave të Këshillit të Europës, kryeministri tha se 62% e personave në burgjet shqiptare janë të paraburgosur, ndërsa mesatarja europiane është rreth 26%.

Rama e cilësoi këtë një problem serioz për sistemin shqiptar të drejtësisë, duke kërkuar angazhim të përbashkët të gjyqësorit dhe ekzekutivit për adresimin e situatës.

“Kjo është ndërhyrja e parë që trajton në mënyrë të plotë prezumimin e pafajësisë, ku forcojmë krahun e të drejtave të njeriut përballë shtetit. Këshilli Europian na vuri përpara një pasqyrë rrëqethëse të vendit ku ndodhemi, ku peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga pesha represive e shtetit.

Ky është vendi që përmban barrën më të rëndë të paraburgimit. Raporti më i fundit i Këshillit të Europës, i datës 31 janar 2025, tregon se 62% e njerëzve në burgjet shqiptare janë të paraburgosur, pra mbahen në burg për atë për të cilën akuzohen dhe jo për dënimin që kanë marrë. Mesatarja europiane ishte 26%. Ky është një problem shumë i rëndë shqiptar, që duhet ta adresojë në letër Kodi i ri i Shqipërisë dhe duhet ta përballojmë së bashku, gjyqësori dhe ekzekutivi. Ne duke mundësuar sfidën logjistike dhe magjistratët duke iu përkushtuar kësaj pakete garancish si një mision dinjiteti kombëtar”, tha Rama.

Ai u bëri thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve që të marrin në konsideratë ndryshimet e reja dhe standardet e garancive procedurale, ndërsa theksoi se pasojat e përdorimit të tepruar të paraburgimit mund të jenë të pariparueshme.

“Si mund të pranojmë, në fakt, që krahasimi me Rusinë të jetë edhe më tronditës? Atje, në atdheun e represionit, të paraburgosurit janë 30% e popullsisë së përgjithshme të burgjeve, pra sa më pak se gjysma e Shqipërisë që negocion anëtarësimin me BE-në. Prokurorë dhe gjyqtarë, nuk mund të vazhdojmë me shifra të tilla, pasi pasojat janë të pariparueshme. Kjo politikë ka ndikim negativ jo vetëm mbi të drejtat e viktimave të saj, por edhe mbi shoqërinë’, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme