Disiplina dënon Vorën, paralajmëron trajnerin Bellai

Futboll Vendi | 2 orë më parë

“200 mijë lekë gjonë dhe dy ndeshje pa praninë e spektatorëve”, është ky vendimi i marrë për skuadrën e Superiores nga Komisioni i Disiplinës pas ngjarjeve të ndodhura në javën e fundit, pikërisht në ndeshjen me Skënderbeun, e cila u mbyll në një barazim 1-1.

Paralajmërohet trajneri, Arian Bellai, i cili pas ndeshjes nuk u paraqit në intervistë. Në rast përsëritje të kësaj shkelje ose të çdo shkelje tjetër të ngjashme që lidhet me përmbushjen e detyrimeve mediatike, do t’i nënshtrohet masave disiplinore të parashikuara nga Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe rregulloret e FSHF.

50 mijë lekë gjobë dhe 10 ndeshje pezullim janë dhënë për zyrtarin e Vorës, Bazion Tragaj, për sjellje të dhunshme ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Nuk kanë munguar gjobat dhe pezullimet edhe për skuadrat e Kategorisë së Parë apo ekipet e moshave.

Ja vendimet e plota:

  1. KF Vora, për dështim në garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/1, 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë, si dhe me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa praninë e spektatorëve në stadiumin përkatës.
  2. Zyrtari i KF Vora, Arian Bella, për mosrespektimin e detyrimit për daljen në intervistën pas ndeshjes, në kundërshtim me nenin 77 të Rregullores së Aktivitetit, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se, në rast përsëritjeje të kësaj shkeljeje ose të çdo shkeljeje tjetër të ngjashme që lidhet me përmbushjen e detyrimeve mediatike, do t’i nënshtrohet masave disiplinore të parashikuara nga Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe rregulloret e FSHF.
  3. Zyrtari i KF Vora, Bazion Tragaj, për sjellje të dhunshme ndaj zyrtarëve të ndeshjes si dhe për mosrespektim të vendimit nr. 06, datë 17.09.2026, në bazë të neneve 14/1/h dhe 29/1/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë si dhe 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga çdo veprimtari e organizuar nga FSHF.

Kohës së re të dënimit i shtohet periudha e pashlyer e dënimit të mëparshëm të vendimit nr. 06, datë 17.09.2026.

Në zbatim të nenit 6/5 të KDE, KF Vora ka përgjegjësi solidare për mbulimin e detyrimeve monetare të zyrtarëve të klubit.

  1. KF Kukësi, për mospërmbushje të detyrimeve dhe përgjegjësive për rendin dhe sigurinë në ndeshje, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, në bazë të neneve 17/1, 17/2/a dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba aplikohet në masën 50%.
  2. Zyrtari i KF Kukësi, Fundim Dollaku, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  3. Lojtari i KS Kastrioti, Oresti Kasmollari, për provokim të spektatorëve, në bazë të nenit 14/1/f të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  4. KF Oriku, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
  5. KF Besëlidhja, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
  6. FC Besa, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
  7. KF Lushnja Vajza, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Kampionatit Abissnet Superiore Vajza, kundër KF Egnatia Vajza, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.
  8. Lojtari i KF Gramshi, Fadil Meta, për sjellje josportive ndaj lojtarëve kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/b të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  9. KF Memaliaj, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/b të KDE, gjoba të aplikohet në masën 20%.
  10. Zyrtari i FK Apolonia U-18, Santiliano Dule, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë, duke hyrë në fushën e lojës në mënyrë të paautorizuar dhe të parregullt, në bazë të nenit 13/2/a të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  11. Zyrtari i FK Partizani U-15, Kristiano Halo, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga të gjitha veprimtaritë.
  12. Lojtari i FC Dinamo City U-18, Vasil Shupli, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  13. Lojtari i KF Vora U-16, Brendon Shkëmbi, për sjellje josportive ndaj lojtarëve kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/b të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  14. Lojtari i Apollo FC U-16, Gerjon Arbri, për sjellje josportive ndaj lojtarëve kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/b të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

 

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme