Sneijder: U largova nga Reali, por fitova gjithçka me Interin

Wesley Sneijder, ish-mesfushori holandez, zhvilloi një bisedë të gjatë dhe të sinqertë në një intervistë me Betsson.sport, duke rishikuar momentet më ikonike të karrierës së tij të jashtëzakonshme futbollistike dhe duke zbuluar momente të patreguara më parë nga e kaluara e tij.
Një nga temat qendrore të intervistës ishte transferimi nga Real Madridi te Interi, një “derë rrëshqitëse” e vërtetë për holandezin. Sneijder pranoi hapur se disa gjëra të pakëndshme kishin ndodhur në jetën e tij personale në Spanjë, por se transferimi ishte vendimtar: “Pas dy vitesh te Real Madridi, shkova te Interi dhe fitova gjithçka këtu. Gjërat ndodhin sepse duhet të ndodhin”.
Kujtimi i José Mourinhos, i konsideruar nga Wesley si një figurë vendimtare, ishte i pashlyeshëm. Duke kujtuar finalen e Ligës së Kampionëve në Madrid, Sneijder vlerësoi mentalitetin e trajnerit portugez, duke përsëritur me krenari se në atë ndeshje, skuadra nuk e kishte “parkuar autobusin te dera”, duke demonstruar guximin e atij grupi historik.
Intervista preku edhe artin e goditjeve të lira, një specialitet i vërtetë i shtëpisë. Merita për këtë, zbuloi Sneijder, i shkon Ronald Koeman, i cili gjatë kohës së tij te Ajax e mbante në fushë çdo ditë pas stërvitjes për të praktikuar goditjet. Lidhur me shokët e tij të ekipit, Sneijder nuk hezitoi ta quante Guti-n si lojtarin më të fortë me të cilin ka luajtur ndonjëherë, pavarësisht një fillimi të vështirë në të cilin spanjolli nuk i foli për tre muajt e parë.
Sa i përket kundërshtarit të tij më të vështirë, ai i habiti të tjerët duke përmendur lojtarin japonez Shinji Ono, të cilin u përball gjatë kohës së tij te Feyenoord dhe e përshkroi si një talent të jashtëzakonshëm me dy këmbë.
Duke folur për trajnerët, ai shprehu një dëshirë që nuk e realizoi kurrë: të stërvitej nga Carlo Ancelotti. “Mendoj se do të shkoja mirë me të. Të gjithë flasin me respekt për Ancelottin dhe e kam parë nga jashtë se si i menaxhon marrëdhëniet me lojtarët, për shembull, mënyra se si flet në konferencat për shtyp. Këto janë gjërat që më pëlqejnë: një trajner që flet kështu, shumë i qetë, gjithmonë jep besim te lojtarët e tij”, shpjegoi ai.
Më në fund, pati kohë për të folur për jetën e tij të re larg futbollit profesional. Duke shpjeguar vendimin e tij për t’u tërhequr, Sneijder zbuloi: “Nuk ishte aq e vështirë, sepse ndalova së luajturi në Katar dhe gjatë asaj kohe dë,tohesha vazhdimisht, ndihesha sikur këmba ime ishte zhdukur fizikisht. Gjithmonë i thoja vetes se kur nuk do të mund ta bëja më fizikisht, do të ndalesha”.
Dëshira për t’u përfshirë, megjithatë, nuk është zbehur. Kohët e fundit ai mori pjesë në një reality shoë në stilin “mbijetues” me ish-futbollistë të tjerë holandezë: “Ishte një përvojë e mrekullueshme, 12-13 ditë atje pa ngrënë. Di të gatuaj, kështu që bëra pothuajse gjithçka për lojtarët e tjerë. Ata ishin të lumtur, ishte një përvojë spektakolare mbijetese”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





