Dita e ndeshjes/ Kuqezinjtë për të rimarrë kreun e grupit, si ndryshon ekipi në “Air Albania”

Kombëtarja | 1 orë më parë

Kombëtarja shqiptare pret San Marinon dhe përveç fitores dhe golave, mendohet që trajneri Maran të testojë edhe ndonjë element në formacion.

Shija e hidhur që la humbja në Finlandë pak ditë më parë, më tepër për mënyrën si u vendos nga episodet kundër kuqezinjve, mund të fshihet me një fitore bindëse sot në “Air Albania”. Me San Marinon mbyllim ciklin prej 4 ndeshjesh në Ligën e Kombeve, me shanse të mëdha për të qenë kryesues të grupit. Fitorja e Shqipërisë dhe një barazim apo fitore e Bjellorusisë në ndeshjen e saj me Finlandën, do të na rijepnin kreun, me 9 pikë.

Kundërshtari i sotëm është modest, vetëm pak ditë më parë e mundëm 0-3 në fushën e tij. Fitorja në teori është e padiskutueshme. Me interes pritet mënyra si do ta interpretojnë kuqezinjtë këtë 90-minutësh, sa gola do të shënojnë dhe çfarë ndryshimesh apo testimesh do të bëjë trajneri Maran në lidhje me të ardhmen.

Formacioni do të ndryshojë në krahasim me sfidën e fundit në Finlandë. Ndyrshimin e parë e konfirmoi vetë trajneri italian: Dajsinani do të mbrojë portën. Berisha është i skualifikuar pas kartonit të kuq të marrë ndaj Finlandës dhe Sherri është i dëmtuar.

Në mbrojtje, Ismaili ka pasur ngarkesë fizike dhe gjasat janë që sot ta nisë nga stoli, duke i lënë vendin Kumbullës. Kapiteni Gjimshiti dhe Mitaj pritet të plotësojnë treshen prapa, ndërsa Pilo dhe Hysaj do të jenë më të avancuar në krahët e mesfushës. Në qendër të këtij reparti do të jenë Asllani dhe njëri mes Shehut dhe Ramadanit.

Për treshen e sulmit mund të ketë ndonjë dilemë. Hoxha dhe Muçi duken të favorizuar për ta nisur nga minuta e parë, në mbështetje të Manajt, edhe pse ka një balotazh të këtij të fundit me Dakun. Uzuni, Seferi dhe Mehmeti janë gati për të marrë më shumë minuta në këtë ndeshje, ku duhet përmirësuar golaverazhi, pasi mund të rezultojë shumë i rëndësishëm në fund.   Ndeshja starton në orën 20:45.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme