Shqipëri-San Marino, Maran: Shanset për vendin e parë janë të njëjta

Kombëtarja | 47 minuta më parë

Trajneri i kombëtares shqiptare, Rolando Maran ka folur për mediat në konferencën për shtyp në prag të sfidës kundër San Marinos, që do të luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.

Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, vlerësoi progresin e skuadrës dhe përkushtimin e lojtarëve në përgatitje, duke theksuar se ekipi po rritet dhe po krijon një grup gjithnjë e më të konsoliduar. Në prag të sfidës me San Marinon, trajneri Maran theksoi se Shqipëria do të vijojë të luftojë për vendin e parë, duke kërkuar të ruajë të njëjtën dëshirë, përqendrim dhe qasje të treguar në ndeshjen ndaj Finlandës.

Sa i kënaqur është trajneri deri tani dhe çfarë note i vendosni ekipit? – Kur dëgjoj të thuhet e thjeshtë më vjen të rrënqethem, sepse nuk ka asnjë ndeshje të thjeshtë. Mund të ketë ndeshje pak më të vështira, ose më impenjative, ose më pak impenjative, por nuk ka ndeshje të thjeshta në futboll. Sigurisht ndaj San Marinos e kemi ulur pak ritmin. Kemi luajtur mirë 20 minutat e para, kemi arritur dhe të shënojmë dhe ishte një lloj llogaritje, le të themi, në lidhje me atë se çfarë kishim bërë deri tani.

Mendoj që kemi bërë një progres të mirë nga ndeshja e parë dhe më tej. Kundër San Marinos në sfidën e parë, pasi e kishim siguruar fitoren, na u desh të bënim disa ndryshime për të ruajtur dhe menaxhuar edhe lodhjen. Kjo qasje na shërbeu shumë kundër Finlandës, ku luajtëm për një kohë të gjatë me 10 lojtarë. Mendoj që kemi bërë një ndeshje të mirë. Qëllimi im është që skuadra të aplikojë atë çka ne kemi përgatitur. Jam shumë i kënaqur me atë që kam vënë re. Dëshirën dhe impenjimin e tyre për të qenë aktivë në çdo minutë të stërvitjes, mbledhjet me video dhe çdo analizë që ne kemi bërë. Nuk është e lehtë apo e arritshme të gjendet kimia në grup. Por besoj se ia kemi dalë. Këtë dëshirë për të parë një skuadër që rritet e vë re te lojtarët. Jam shumë i kënaqur për këtë.

E keni vendosur se kush do të luajë në portë nesër? – Në fakt, të gjithë lojtarët mund të gabojnë. Te portierët është pak më decisive, sepse ka ndikim edhe te rezultati i ndeshjes në vijim, por në fakt kam shumë besim te të gjithë lojtarët dhe portierët që unë kam.

Më vjen keq që nuk mund të kem të gatshëm portierin Etrit Berisha, i cili është i pezulluar për shkak të kartonit të kuq, sikurse Alen Sherri që doli nga ndeshja ndaj Finlandës me problem muskular dhe nuk do të jetë i gatshëm.

Mund të konfirmoj që do të luaj Mario Dajsinani. Do të kisha dashur t’i kisha të dy portierët, por besoj se do të jetë një shans shumë i mirë për Dajsinanin. Kam shumë besim tek ai.

Si është situata me Kerjotën? – Ka karakteristika që mund ta bëjnë Kerjotën të dobishëm për skuadrën. Ishte rasti i Samuele Sinës, i cili pati rastin për të ishte titullar. Mund të kishte pasur shansin edhe Kerjota.

Ai është një lojtar që më vjen keq që nuk kam pasur mundësi t’i jap ende hapësirë. Është grumbulluar sepse është një lojtar që doja ta njihja më tepër. Më pëlqen dhe ka cilësi. Është pak e vështirë të bëhet pjesë, kur një grup është kaq i formuar.

Gjë e mirë që ka qenë pjesë e stërvitjeve. E kemi parë duke u stërvitur, i kemi parë cilësitë e tij, nuk mund të them se është një rast i djegur apo i ezauruar, sepse mund të ketë hapësira në vijim. Kam folur me lojtarët dhe ju kam bërë me dije që rrugëtimi i tyre me Kombëtaren mund të ishte pak më ndryshe nga lojtarët e tjerë që kanë qenë tashmë të grumbulluar. Jam koshient për të gjitha çka kemi diskutuar dhe dakordësuar deri tani.

Pilo dhe Mitaj në krah? – Janë dy lojtarë që më japin mbulim mbrojtës dhe shtysë, pasi Pilo del më shumë përpara, por edhe Mario shfrytëzon aftësitë e tij kur niset nga mbrapa. Kur vendosa t’i hidhja në fushë që nga fillimi, e kisha menduar që para ndeshjes së parë. Pastaj patëm probleme me mungesat dhe bëmë diçka ndryshe, sepse mendoja se kisha pak alternativa në disa role. Ia dolëm ta bënim me sukses, sepse rrezikuam pak dhe krijuam shumë. Në Finlandë rrezikuam më shumë se ata edhe kur ishim në inferioritet. Mbajtëm fushën, pësuam dy gola nga goditjet e dënimit, nuk pësuam asnjë goditje në portë dhe ishim të rrezikshëm nga fillimi në fund. Është meritë e këtyre lojtarëve.

Pozicioni i Kristjan Asllanit në fushë? – Ndonjëherë fusha të jep zgjidhje, ashtu si edhe kundërshtari. Ne mundohemi të vendosim identitetin tonë, por ka raste kur kundërshtari të jep mundësi dhe hapësira që të tjerët nuk t’i japin. Pastaj, pozicioni i mesfushorëve varet edhe nga mënyra se si mbrojnë ata. Ne mundohemi të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë.

Sa janë shanset që të arrijmë vendin e parë në grup? – Mundësitë për vendin e parë janë të njëjta. Mendoj se episodet ndikuan, sepse ishte një ndeshje që po shkonte në mënyrën e duhur, por episodet ndikojnë. Ato nuk i kanë ndryshuar shanset tona. Unë jam i sinqertë: sapo skuadra hyri në dhomat e zhveshjes, u bëra komplimente lojtarëve. U thashë të qëndrojnë me kokën lart, sepse nëse hyjmë në fushë me të njëjtën sjellje dhe me të njëjtën dëshirë për të bërë futboll, siç bëmë në Helsinki, nuk duhet të preokupohemi me rezultatin, por vetëm të jemi këta që jemi, me këtë sjellje dhe këtë vëmendje.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme